Prishtina sfidohet nga kampioni i shumëfishtë suedez në Europa League

Prishtina sfidohet nga kampioni i shumëfishtë suedez në Europa League

Skuadra nënkampione e Vala Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina, ka mësuar kundërshtarin për rrethin e parë në Europa League.

Do të jetë pikërisht skuadra suedeze, IFK Norrkoping, ajo që do ta sfidojë skuadrën më të njohur të futbollit kosovar në debutimin e saj historik në garat evropiane. Pa dyshim se ky mund të vlerësohet një short i pafat për kreyqytetasit, ngase përballë do të ketë skuadrën e cila ka fituar 13 herë titullin e kampionit në Suedi, derisa aktualisht pas 13 javëve të zhvilluara në kampionatin suedez është formë shumë të mirë, duke u pozicionuar në vendin e dytë me 27 pikë, aq sa ka edhe Malmo në pozitën e parë. 
Ndeshjet e para të rrethit të parë në Europa League zhvillohen më 29 qershor, derisa ato të kthimit më 6 korrik.

Nëse Prishtina arrin të kalojë rrethin e parë, atëherë do të luajë me fituesin e duelit Saint Johnstone (Skoci) vs FK Trakai (lituani).

Ndërkohë, skuadra e Shkëndijës së Tetovës ka pasur fat në short, pasi ka ‘peshkuar’ skuadrën moldave, Dacia Chisinau. Kundërshtarët e tyre në rrethin e parë të Europa Leagues i kanë mësuar edhe skuadrat e kampionatit shqiptar. Partizani i Tiranës do të ballafaqohet me skuadrën bullgare, Botev Plovdiv, derisa Skenderbeu do të luajë kundër skuadrës nga Andora, Sant Julia. Ndërkohë short dukshëm më të vështirë ka pasur fituesja e Kupës së Shqipërisë, Tirana, e cila do të ballafaqohet me Makabi Tel Aviv.