Finalizohen punimet në ndërtimin e dy urave mbi lumin Nerodime

Finalizohen punimet në ndërtimin e dy urave mbi lumin Nerodime

Tashmë kanë hyrë në fazën finale, punimet në ndërtimin e dy urave mbi lumin Nerodime. Në takimin e mëngjesit Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi, tha se këto ura do të shtojnë bukurinë në Bulevardin “Ismajl Raka”, i cili konsiderohet si një pjesë e bukur dhe mjaft e frekuentuar nga kalimtarë të shumtë.

Kryetari Ilazi tha se përmes këtyre dy urave, do të lidhen dy shëtitoret pranë lumit Nerodime. Në takim poashtu u bë e ditur se punimet janë duke vazhduar edhe në disa projekte kapitale në interes të rregullimit të mirëqenies qytetare. Është bërë punimi i mureve mbrojtëse në Bob dhe në rrugën “Jehona Raka” në Dushkajë si dhe punimet në rrugën “Tefik Raka” në Kaçanik dhe në rrugën e lagjes Kovaqi. Në takim ekzekutivi komunal raportoi për punët e ndryshme të drejtorive përkatëse të zhvilluara gjatë javës së kaluar dhe planprogramet për javën që sapo kemi hyrë.