Dhuruesit vullnetarë të gjakut mbulojnë 80 për qind të nevojave

Dhuruesit vullnetarë të gjakut mbulojnë 80 për qind të nevojave

Në Kosovë po shtohen dita – ditës dhuruesit vullnetarë të gjakut. Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, thuhet se rreth 80 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut. Derisa për 20 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.

Java e dhurimit të gjakut që nisi me 12 qershor dhe përfundoi më 18 qershor, ka siguruar rreth 589 doza gjaku nga qytetarët. Dhurimi vullnetar i gjakut praktikohet çdo vit në Kosovë, dhe organizohet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.

Fadil Mahmuti, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut tha për Radion Evropa e Lirë se dhuruesit më të shumtë janë paraqitur ata me grupin e gjakut 0. Një mobilizim i tillë, sipas tij, erdhi pas thirrjeve që iu janë bërë, marrë parasysh që ky grup është i rrallë dhe gjithmonë ka mungesë.

“Çdo vit shënohet java e dhurimit të gjakut, dhe një numër i konsiderueshëm edhe këtë vit kanë dhuruar gjak. Kërkesat që kanë arritur nga QKUK-ja, kanë qenë të realizuara në terren. Qëllimi ynë është që të gjithë të sëmurëve dhe të lënduarve t’u sigurojmë gjak në Kosovë”.

“Synojmë që t’i largojmë familjarët nga nevoja e dhurimit të shpejtë dhe gjakun ta kemi të siguruar nga vullnetarët. Por, edhe përkundër dëshirës sonë, familjarët vazhdojnë të dhurojnë gjak, pasi nuk plotësohen asnjëherë nevojat vetëm nga vullnetarët”, thotë Mahmuti.

Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të dhurojnë gjak për familjarët e tyre në rast nevoje. Njëri nga ta është Besnik Uka, të cilit i është dashur që të dhurojë gjak për babanë e sëmurë.

“Unë sapo dhurova gjak për babanë tim. Në rast nevoje gjithmonë jam i gatshëm të dhuroj gjak edhe vullnetarisht”, shprehet Uka.

Në Qendrën Emergjente, drejtori Basri Lenjani bën të ditur se ky institucion gjithmonë e ka prioritet sigurimin e dozave të gjakut. Sipas tij, asnjëherë nuk ka ndodhur që ndonjë pacient ta humb jetën si pasojë e mungesës së ndonjë grupi gjaku.

“Klinika Emergjente në bashkëpunim me Transfuzionin e Gjakut, gjithmonë kur ka qenë në kërkim të gjakut, kjo e fundit i ka dalë në ndihmë. Ky bashkëpunim është thelluar çdo herë për të mbështetur të sëmurët që kanë nevojë për gjak. Ne pretendojmë që shërbimet emergjente do duhej të jenë prioritet dhe ky bashkëpunim po vazhdon. Kërkesat tona janë të arsyeshme dhe mbulohen me doza gjaku”, tha Lenjani.

Sido që të jetë, klinikat që më së shumti kanë nevojë për doza gjaku janë Qendra Emergjente, Klinika Gjinekologjike si dhe sallat operative.

Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare, Myrvete Paçarada, ka deklaruar se kanë bashkëpunim të mirë me Qendrën e Transfuzionit dhe se nuk ka ndodhur që kjo klinikë të mbetet pa doza gjaku.