Haziri: Në gusht nis ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan

Haziri: Në gusht nis ndërtimi i autostradës Prishtinë-Gjilan

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme priten organizime në strukturim të zyrës së tij, që përfshihet bordi i drejtorëve dhe zyrat tjera.

“Në këtë mënyrë ne i japim imput më të madh angazhimeve dhe detyra tona. Ne jemi në përfundim të detyrave tona dhe progamit tonë qeverisës. Ne presim që në fillim të korrikut të nënshkruhet kontrata e ndërtimit të llotit të tretë të rrugës hyrëse dhe dalëse Gjilan-Prishtinë dhe përfundimisht në muajin gusht pritet të nisin punimet në ndërtimin e Autostradës. Poashtu, do të punohet në qytet e fshatra sipas kalendarit”, tha Haziri

“Gjatë fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme, unë i kam ndërprerë punimet për një muaj, që kanë qenë në infrastrukturë në Llashticë, Malishevë, një pjesë të rrugëve në Zhegër, ndërsa jemi në procedurë të suspendimit të operatorit të punimeve në Cernicë. Nga kjo javë ne fillojmë punimet e zhurmshme në qytetin tonë për realizimin e projekteve të planifikuara dhe i lus bashkatdhetarët për mirëkuptim”, shtoi Haziri.

Haziri ka përmendur edhe iniciativën e re Gjilan-komunitet, e cila ka të bëjë me krijimin e hapësirave të gjelbërta e artisitke dhe programeve të vogla, duke krijuar mundësinë që investitori ose komuniteti t’i emëroj këndet e veta me emrat e tyre.  

“Ne do të fillojmë me ndërtimin e parqeve të vogla, shadervaneve të vogla, vendosjen e punimeve artistike, vendosjen e zonave të gjelbëruara në bashkëpunim të Komunës dhe donatorëve, Ky program kap shumën prej 2000-5000 euro për projekt. Vetëm sot janë lajmëruar 10 operatorë, të cilët janë të interesuar të punojnë në emër të qytetarëve”, tha Haziri.

Kryetari Haziri ka paralajmëruar se në korrik do të organizohet një gala mbrëmje humanitare për organizatën “Pema” për grumbullimin e fondeve humanitare për fëmijët në nevojë dhe me sindrom.

Haziri në fund ka falënderuar mësimdhënësit e Gjilanit për përfundimin e vitit shkollor për punën dhe suksesin e arritur.