OAK kërkon ndihmë nga Qeveria dhe komuna për fermën e djegur

OAK kërkon ndihmë nga Qeveria dhe komuna për fermën e djegur

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga komuna e Lipjanit dhe Qeveria e Kosovës që t’i dalin në ndihmë familjes Zeqiri së cilës i është djegur stalla me gjithë lopët brenda në të.

Përfaqësues të OAK ishin sot në vizitë te familja Zeqiri ku panë për së afërmi dëmet që janë shkaktuar nga kjo fatkeqësi që ka prekur këtë familje.

Në fermën e djegur kanë pësuar 28 prej 31 krerëve lopë.

Zonja e shtëpisë- Salihe Zeqiri tha se momenti kur është vërejtur zjarri ka qenë shumë vonë që të bëhet diçka.

“Ishte e pamundur që të nxjerrën kafshët për shkak të zjarrit të tepërt që e kaploi stallën. Vetëm 3 prej tyre kanë shpëtuar por janë shumë të lënduara”, ka thënë ajo.

Shkaktari i kësaj fatkeqësie dyshohet të jetë rryma. Përfaqësues të KEDS-it ishin duke inspektuar shkakun e zjarrit që kaploi stallën.

I pranishëm ishte edhe veterinari  Bujar Ejupi nga Veterina i cili konfirmoi se është duke i mjekuar lopët dhe se dy prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë.

Përveç lopëve, dëme kanë pësuar edhe makina e qumështit, frizi për ruajtjen e tij dhe ushqimi.

Vlen të theksohet se këto lopë siguronin 150 litra qumësht në ditë dhe se kjo familje ka qenë e varur nga ky biznes  prandaj OAK bënë lutje që të ndihmohet në kompensimin e dëmeve. 

Hysni Zogaj dhe Qëndresa Ibrahimi premtuan se Oda do të bëjë maksimumin që të kërkojë ndihmë nga Ministria e Bujqësisë dhe nga organizatat e ndryshme që ndihmojnë fermerin e dëmtuar.