VIDEO - Bajrami: Të ndalohet inflacioni i të diplomuarve

VIDEO - Bajrami: Të ndalohet inflacioni i të diplomuarve

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës, organizoi konferencën regjionale "Roli i arsimit të lartë në shoqëritë demokratike", me qëllim të ndërlidhjeve strategjike që do t’u shërbejnë partneriteteve dhe do të ngrisin cilësinë dhe vlerën e arsimit të lartë.

Në fjalën e tij, ministri në detyrë i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se është më lehtë të hapësh universitet se sa ta mbash atë.

Bajrami theksoi se duhet të ndërmerren hapa konkret në ndalimin e inflacionit të diplomuarve, ndërkohë që thotë se duhet të ketë profesionist, por kjo duhet të ndodhë njëkohësisht me rritjen e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Madje, për sa i përket cilësisë së arsimit, Bajrami tha se arsimi duhet të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme në Kosovë, pasi në këtë mënyrë përparon edhe zhvillimi ekonomik i vendit.

Bajrami:  Me edukim cilësor do të kemi zhvillim ekonomik

“Ndërtimi i një arsimi të lartë cilësor, me kompetenca dhe shkathtësi është një çelës i suksesit të shoqërisë kosovare. Dhe padyshim se sfida e ndërtimit të universiteteve cilësore, kredibile, do të jetë një sfidë afatgjatë nga e cila do të varet e ardhmja e vendit tonë.  Definitivisht edukimi dhe arsimi në përgjithësi, duhen të jenë prioritet i cilësdo qeveri dhe cilitdo parlament në 10 vjetët e ardhme dhe më lejoni të bëjë ftesë nga kjo konferencë që të kemi një ndërgjegjësim kombëtar dhe që edukimin ta vendosim numër një, para ekonomisë, sepse kemi më shumë se gjysmën e popullsisë të re dhe po të kesh një edukim cilësor do të kesh zhvillim ekonomik, shoqëri demokratike dhe përparime të përgjithshme”, tha Bajrami.

Presidenti i Universitetit "James Madison", Jonathan R. Alger, u shpreh se partneriteti mes Kosovës dhe universitetit “James Madison” ka zgjatur për vite me radhë, për të rezultuar me memorandumin e arritur dy vjet më parë, me ç’rast, të dyja palët janë zotuar për të gjetur mënyrat e bashkëpunimit dhe t’i dalin zot marrëveshjes në fushën e arsimit.

Alger: Universiteti “James Madison” model për angazhimin e tij në gjithë botën

“Jam shumë i kënaqur që e mbajë këtë nishan këtu me dy flamujt tanë, që tregon miqësinë tepër të madhe në mes të dy vendeve tona dhe miqësinë tepër të madhe në mes Universitetit ‘James Madison’ dhe universiteteve tuaja. Kosova ka në këtë moment një mundësi të shkëlqyer, duke pasur popullatën e saj shumë të re, që të fokusohet në një arsimim strategjik të kësaj popullate... Ne kemi një model, qëllim dhe vizion të ri që të bëhemi universitet të ri, për të qenë të angazhuar me ide të reja si dhe të angazhuar me pjesën tjetër të botës”, u shpreh Alger.

Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se Universiteti “Hasan Prishtina”  është universiteti më i vjetër dhe më i rëndësishëm në Kosovë si  dhe vatra kryesore e dijes së shtetit demokratik.

Më tej, ai theksoi se investimi më i mirë që një vend mund të bëjë, është investimi në arsim.

Dema:  Cilësia e arsimit në Kosovë me rëndësi jetike për vendin

“Investimi në arsim është investimi më i mirë. Rezultati nga i cili nuk do të mungojë të shfaqet asnjëherë. Një konferencë e tillë besoj se do të vë në pah një aspekt tjetër të rëndësishëm të arsimit. Aspekt jetik për t’u diskutuar në shoqërinë tonë kosovare, e cila po ecë me hapa të sigurt në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit ekonomik… Të gjithë e dimë se popullata e Kosovës është një popullatë e re e cila ka nevojë për arsim cilësor. Pikërisht këtë rol Universiteti i Prishtinës e ka marrë dhe është duke e kryer”, tha ai.

Gjatë konferencës u tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë donatori kryesor i arsimit të lartë në Kosovë, dhe se vetëm gjatë viteve të fundit Kosova ka përfituar ndihmë nga Qeveria Amerikane, më shumë se 30 milionë.

Afër 25 milionë prej tyre, kanë shërbyer për të dërguar 185 studentë në programe të plota master në Universitete të ndryshme në Amerikë.