Bugajski:Moska po i nxit nacionalizmat lokalë në Ballkan

Bugajski:Moska po i nxit nacionalizmat lokalë në Ballkan

Në kërkimet për t`i diskualifikuar vendet nga anëtarësimi në BE, Moska promovon nacionalizma lokalë, korrupton politikanët për t`i favorizuar interesat e biznesit rus dhe mirëmban varshmërinë energjetike në kryeqytetet e Ballkanit.

Janusz Bugajski
Analist i politikave

Përderisa Moska po mundohet ta fundosë të gjithë projektin e integrimit të BE-së, Beogradi ka propozuar një hapësirë regjionale për tregti të lirë dhe union doganor, e cila do të shfrytëzohej nga kundërshtarët e zgjerimit të BE-së. Propozimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për një bllok të tregtisë së lirë, kanë ringjallur dyshimet që Serbia po mundohet ta rikthejë hegjemoninë regjionale përmes integrimit ekonomik.

Vendet e lidhura me fqinjët e tyre përmes një hapësire të përbashkët ekonomike, priren të varen nga progresi i njëra-tjetrës në plotësimin e standardeve të BE-së.
Krijimi i një tregu tjetër të përbashkët në regjion është i panevojshëm, pasi shumica e vendeve kanë qenë pjesë e marrëveshjes së Evropës Qendrore për tregti të lirë (CEFTA) që nga viti 2007. CEFTA u themelua në vitin 1992, për t’u ndihmuar anëtarëve për anëtarësim në BE, e jo për të shërbyer si zëvendësim.

Në të vërtetë, secili vend që i është bashkuar BE-së, ka dalë nga CEFTA dhe nuk është përfshirë në çfarëdo unioni alternativ doganor.

Çfarëdo strukture afatgjate ekonomike në Evropën Juglindore nuk i ndihmon shteteve aspiruese në BE, por i ndihmon Moskës. Propozimi i Vuçiqit për një hapësirë të integruar ekonomike do ta intensifikonte ndërhyrjen ekonomike dhe politike të Rusisë. Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë dhe krijimi i një marrëveshjeje të re regjionale do ta dëmtonte CEFTA-n dhe do ta lidhte secilin shtet në një orbitë më të afërt me Rusinë.

Kremlini mbështet çfarëdo zëvendësimi të BE-së që do ta dobësonte projektin evropian. Në fakt, Moska e sheh BE-në si një kërcënim afatgjatë më të rrezikshëm për ambiciet e saj sesa NATO-n. Standardet e BE-së për ligjshmëri, transparencë dhe konkurrencë sfidojnë modelin e biznesit rus, derisa dispozitat për të drejtat politike dhe të njeriut minojnë modelin autokratik të qeverisjes në Rusi.
Në kërkimet për t`i diskualifikuar vendet nga anëtarësimi në BE, Moska promovon nacionalizma lokalë, korrupton politikanët për t`i favorizuar interesat e biznesit rus dhe mirëmban varshmërinë energjetike në kryeqytetet e Ballkanit. Duke sabotuar progresin në drejtim të BE-së, presidenti Putin kërkon ta mirëmbajë një numër të vendeve të ngrira ose të ndara në regjion. Me mbajtjen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së dhe me nxitjen e konflikteve lokale minon unitetin evropian dhe besueshmërinë e vet BE-së.
Edhe nëse ka qëllime konstruktive politike dhe ekonomike, fokusi i Beogradit për një zonë regjionale të tregtisë së lirë dhe union doganor, padyshim i shkon për shtati Moskës, si dhe nacionalistëve dhe popullistëve evropianë. I jep municion atyre që kërkojnë zëvendësimin për anëtarësim në BE, duke i bërë vendet më të kualifikuara, të varura nga fqinjët më të dobët, si dhe pengon progresin e tyre në rrjedhën evropiane.