Rritet numri i të infektuarve me Hepatit B

Rritet numri i të infektuarve me Hepatit B

Në Kosovë është shënuar rritje e numrit të infektuarve me virusin e Hepatit B, i cili ka rrezikshmëri të lartë për pacientët dhe në rast se nuk zbulohet me kohë, pasojat mund të jenë vdekjeprurëse, thonë infektologet.

Sipas tyre, shumë nga rastet e prekura janë si pasojë e vendosjes se tatuazheve me mjete jo sterile. 

Rritja e numrit të infektuar me hepatitin B është shqetësues për infektologun, Sali Ahmeti. Shumë nga moshat e reja, të prekur nga ky virus, janë si pasojë e vendosjes se tatuazheve të bëra në kushte jo adekuate, tha për Radio Kosovën dr Ahmeti.

“Për mua si mjek nuk është e pëlqyer fare vendosja e tatuazheve, vathëve në hundë, gjoks e në pjesët e ndryshme të trupi, meqenëse ajo shoqërohet me rrezikshmëri të lartë të marrjes së hepatit B dhe C dhe plotë viruseve të tjera. Ne kemi mjaft raste të marrjes së virusit përmes tatuazheve, shpimit, gjakosjeve etj., që i kanë bërë, sigurisht pa kushte higjienike”, deklaroi Ahmeti.

Në shumicën e rasteve, pacientët që diagnostikohen me këtë virus duhet të marrin medikamente mjekësore gjatë gjithë jetës se tyre, thotë ai. “Do të thotë që ata edhe nëse arrijnë që të shërohen nga shfaqja e manifestimeve klinike, virusi mbetet në gjak dhe nëse ai person nuk arrin ta eliminojë virusin prej 6 deri në 10 muaj pas kontaktit me të, virusi mbetet përjetë brenda në trup”.

Njëra nga të infektuarat ka një vit që është diagnostifikuar dhe tani i është nënshtruar terapisë për trajtim shprehet: “Çdo javë vij nga Prizreni dhe marr nga një ampulë, falas është, nuk paguaj.

”Terapia për trajtimin e të infektuarve është mjaft e kushtueshme dhe fatmirësisht për momentin Klinika Infektive është e pajisur me terapi", tha dr Ahmeti. Ai u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të aplikojnë vizita mjekësore sistematike me qëllim zbulimin e hershëm të këtij virusi, ndryshe jeta e të infektuarve mund të përfundojë me fatalitet.

Autor: Vaide Morina