Kukësi thirrje tifozëve: Bashkë, më të fortë

Kukësi thirrje tifozëve: Bashkë, më të fortë

Në takimin me historinë, Kukësi kërkon ndihmën e tifozëve. Pas debutimit në Champions, me humbjen 1-0 në Moldavi përballë Sheriff Tiraspol, kampionët e Shqipërisë i kanë bërë thirrje mbështetësve që të paraqiten të shumtë në numër, në ndeshjen e kthimit.

“Të gjithë në mbështetje të ekipit. Bashkë jemi më të fortë, ia dalim mbanë!”, ishte thirrja e Kukësit për tifozët, për ndeshjen që do të luhet të mërkurën në orën 19:30 në “Elbasan Arena”. Kjo mbi të gjitha duke vlerësuar edhe largësinë e impiantit ku do të luhet sfida nga mbështetësit.

Për të garantuar një atmosferë elektrizuese dhe që do ta ndihmohë skuadrën e Ernest Gjokës të përmbysë disavantazhin minimal, drejtuesit e klubit veri-lindor kanë vendosur edhe çmime simbolike për biletat e ndeshjes. Një vend në tribunat C1, C2 dhe C3 kushton vetëm 300 lekë të reja, ndërsa në tribunat F, D dhe E biletat kushtojnë 500 lekë të reja. Praktikisht për ndeshjen e Kukësit në turin e dytë kualifikues të Champions-it, tifozët do të paguajnë ekuivalentin e vlerës për një përballje kampionati.

Biletat në tribunat A dhe B kushtojnë 1,000 lekë të reja, ndërsa tribuna VIP dyfishi i kësaj shifre. Klubi i Kukësit njoftoi se tifozeria mike do të akomodohet në tribunën G3, me shitjen e biletave që ka nisur në kryeqytet në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe në qytetin e Elbasanit.