“Daullet e Rezistencës” do të bien sonte në Sheshin “Zahir Pajaziti”

“Daullet e Rezistencës” do të bien sonte në Sheshin “Zahir Pajaziti”

Dokumentari është realizuar me mbështetje të QKK-së, Programit Culture for All, Komuna e Prishtinës dhe Heartefact.

Filmi dokumentar “Daullet e Rezistencës” kthehet në Prishtinë pas premierës kombëtare në edicionin e pesëmbëdhjetë të festivalit DokuFest, premierës ndërkombëtare në Sarajeva Film Fest dhe udhëtimit nëpër festivale të ndryshme botërore si: Eastern Neighbors në Hagë; Freezone Festival në Beograd; This Human World Festival në Vjenë; Balkans Florence Express në Florence; Albanian Film Week në Nju Jork, shkruan KultPlus.

“Daullet e Rezistencës”nuk do të garojë në festivalin PriFilm Fest, vetëm do të jepet si shfaqje e veçantë në platonë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 21:00 dhe është i hapur për publikun. Dokumentari është realizuar me mbështetje të QKK-së, Programit Culture for All dhe Heartefact. “Daullet e Rezistencës” është prodhim i shtëpisë filmike MB Office dhe u realizua me regji të regjisorit Mathieu Jouffre, skenar të Mathieu Jouffre dhe BesaLucit. Muzika origjinale është kompozuar dhe ekzekutuar nga Liburn Jupolli, ndihmësregjisorë Aurela Kadriu dhe Milot Hasimja si dhe ndihmësredaktor Gazmend Bajri.

Filmi flet për përiudhën kur filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, regjimi serb ndaloi pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në jetën publike. Punëtorët shqiptarë i larguan nga puna në institucionet publike; mediat në gjuhën shqipe u mbyllën; shumë shkolla fillore e të mesme u mbyllën për nxënësit shqiptarë; i tërë sistemi universitar u mbyll. Por nisi një vetorganizim, që kryesisht ishte i dukshëm në sistemin arsimor.

Gjatë viteve të 90-ta, në Kosovë, mësimi vazhdoi në banesa, shtëpi dhe podrume private. Ky dokumentar tregon se si ishte organizuar një shoqëri dhe realitet paralel. Tregon se si ndarja dhe aparteidi u bë në norma.