LDK shpreh dyshimet për kurdisje të një tenderi nga PDK

LDK shpreh dyshimet për kurdisje të një tenderi nga PDK

Lidhja Demokratike në Prizren ka shprehur dyshimet për kurdisje nga ana e PDK-së, lidhur me shpalljen e fituesit të tenderit që pritet të ndodh për teleferikun në Kalanë e Prizrenit.

LDK në Prizren thotë se krerët lokal të PDK-së janë takuar me njerëzit e Kompanisë që dyshohet se do të shpallet fituese e këtij tenderi.

Në një reagim për media LDK thekson se ‘janë zgjedhjet lokale afër dhe Degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion euro të kontrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale’.

Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe thotë se do t’i deponojë në organet e drejtësisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit.    

Dega e LDK-së, kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjore, të cilat e rregullojnë punën e tij, por edhe në anën humane e qytetare duke mos lejuar abuzimin e 1 milion eurove.

LDK i kujton opinionit dhe Ramadan Mujës se nga 3 firmat ofertuese, të cilat kanë konkurruar në këtë tender, i kanë dhënë këto tri oferta:

1. Ofertuesi i parë, Vlera: 2.411.138.08 2. Ofertuesi i dytë, Vlera: 3.296.098.00  3. Ofertuesi i tretë, Vlera: 3.465,316.65.

Tenderin sipas të gjitha zhvillimeve dyshojmë se do ta fitojë Kompania me ofertën mbi 1 milion Euro më të shtrenjtë, sipas informacioneve tona më ndërhyrjen direkte të krerëve të PDK-së.

“I'a kujtojmë kryetarit Muja se do të jetë përgjegjës para ligjit edhe për tenderët tjerë të cilët janë shpallur me vlera milionëshe e ku absurdi shihet te shpallja e tenderit me titull: "Mbjellja e drunjëve dekorativ në Komunën e Prizrenit", i cili mban vlerën e parashikuar prej 1 milion e 500 mijë Euro. Pastaj, tenderi tjetër: "Riparimi i rrugëve me kubëza betoni dhe asfalt" me vlerë të parashikuar mbi 1 milion e 500 mijë Euro, ku dyshimet edhe këtu janë se PDK dëshiron të siguroj para për fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit”, thuhet në reagimin e LDK-së.