“Kujtime dhe Përjetime” libër që tregon kujtimet e autorit

“Kujtime dhe Përjetime” libër që tregon kujtimet e autorit

Është promovuar libri “Kujtime dhe Përjetime” i autorit Shaban Kajtazi, libër ky i cili përfshin dhe përmbledhë studime, kujtime dhe përjetime të zgjedhura të periudhave të ndryshme.

Për librin u tha se ofron të dhëna të vlefshme e të argumentuara në tubime të rëndësishme, politiko-shoqërorë, në manifestime shtetërore, arsimore, kulturore dhe juridiko-shkencore.

Po ashtu në promovim të këtij libri u tha se ky është prezantim i vështirësive, rrethanave dhe rrjedhave ekzistuese ekonomike-shoqërore dhe politike, të shkruara, të kujtuara dhe të përjetuara në faza të ndryshme kohore, që nga lufta e Dytë Botërore e deri në përfundimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas saj.

Redaktori i librit, Mehmet Rukiqi, tha se krijimtaria letrare shqiptare në përgjithësi dhe memoaret në veçanti prej sot u pasuruan dhe u ngritën për një shkallë më lart të zhvillimit të tyre me librin e autorit Shaban Kajtazi.

“Është vepër autobiografike, përmban edhe shumë elemente monografike, veprat e tilla aq sa janë të rralla po aq janë të rëndësishme dhe përherë aktuale. Përmban krijime dhe përjetime me vlerë historike, letrare, artistike por edhe familjare shkollore, pasqyron dhe trajton ngjarje e personalitete, rrethana e situata problematike dhe tejet të ndërlikuara kur për udhëheqësit shqiptarë nga komuna e tutje”, tha Rukiqi.

Ai tha se autori në fillim ofron të dhëna për fshatin e tij të lindjes Kuqicën, përforcon njohuritë për pozitën gjeografike, relievin dhe hidrografinë.

Ndërsa, recensenti i librit Jusuf Osmani, tha se autori përmes këtij libri ka bërë ndriçimin e të kaluarës historike.

Sipas tij ky libër është ndryshe nga librat e tjerë që kanë tematikë të njëjtë, pasi që përveç kujtimeve ai tha se autori merret edhe me analizën e disa ngjarjeve historike në të kaluarën.

“Shaban Kajtazi në librin e titulluar ‘Kujtime dhe Përjetime’ nëpërmjet kujtimeve dhe përjetimeve të veta na sjell një libër sa real aq edhe të këndshëm si protagonist i shumë ngjarjeve në rrethanat e kohës. Në të pasqyron rolin e një aktivisti, udhëheqësi menaxherial, politikani, gjyqësori, humanisti e çka jo tjetër në kohët më të vështira që kaloi Kosova. Ky libër është ndryshe nga librat me tematikë të tillë, sepse zotëri Kajtazi përveç kujtimeve dhe përjetimeve të tij ai merret edhe me analizën e disa ngjarjeve historike në të kaluarën duke analizuar, komentuar dhe pastaj duke i dhënë vlerësimet e veta”, tha Osmani.

E autori i Librit, Shaban Kajtazi, duke mos dashur të flas për libër më shumë se që thanë redaktori e recensenti tha se ky libër është vetëm një këndvështrim i tij personal për ngjarjet që kanë ndodhur.

“Dua t’iu garantoj dhe të deklaroj se ky është vetëm një këndvështrim i imi, personal, për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë kohës kur unë kam qenë në ato pozita dhe në ato detyra dhe ngjarje përreth. Libri paraqet një bazë të mirëfilltë për krijuesit e rinj që shitojnë të shkojnë më tutje të studiojnë dhe të avancojnë këtë çështje. Mendoj se asnjë botim nuk është i përsosur e më së paku libri im që sot u promovua, por besoj që diçka do të vlejë për gjeneratat e ardhshme”, tha Kajtazi.

Libri përmban gjithsej 487 faqe në 14 kapituj, ku kapitujt përmbajnë kujtime dhe përjetime për Drenicën, Kuçqcën vendlindjen e autorit, për arsimimin dhe punësimin e autorit, për aktivitetin shoqëroro-politik të autorit, veprimtaria dhe kontributi i autorit si kryetari i kuvendit komunal të Skenderajt e shumë të tjera./kp/