Ja cili ishte viti më i ngrohtë në histori

Ja cili ishte viti më i ngrohtë në histori

Shkencëtarët tërheqin vërejtjen se moti në vitin e kaluar ishte “shumë ekstrem dhe ka arsye për brengosje”.

Ata thonë se ky është indikator i qartë i ndryshimeve klimatike, të cilin po e shkaktojnë njerëzit, transmeton KosovaPress.

Fenomeni klimatik El Ninjo ndryshon motin në gjithë botën dhe kishte ndikim të madh në kushtet klimatike të vitit të kaluar, thuhet në raportin e sotëm të publikuar nga Administrata nacionale e Oqeanisë dhe atmosferës së SHBA-ve (NOAA).

Në raport thuhet se viti i kaluar ishte më i ngrohti në histori dhe moti në nivel global ishte mjaft ekstrem, i karakterizuar me temperatura të larta.

Shkencëtarët thonë se vitin e kaluar një e teta e tokës ishte përballur me thatësi të madhe dhe mund të konsiderohet si viti më i keq sa i përket kësaj çështjeje, thuhet në raport.

Temperaturat e larta kanë goditur pothuajse të gjitha shtetet, sidomos Indinë dhe nxehtësia e madhe ka shkaktuar zjarre të mëdha në malet e Kanadasë.

Ekspertët thonë se niveli i detit është rritur për të gjashtin vit radhazi për tri deri në katër milimetra.

Në vitin 2016 janë regjistruar 93 ciklon tropikal në gjithë botën, që është 13 për qind më shumë se sa normalja, përfshirë edhe uraganin në Haiti, në të cilin humbën jetën rreth 1.000 njerëz.

Sipërfaqja e akullt në Grenlandë ka humbur në vitin e kaluar 341 miliardë tonë akull.