VIDEO - Vllahiu: Ka ardhur koha për një Prishtinë ndryshe

VIDEO - Vllahiu: Ka ardhur koha për një Prishtinë ndryshe

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zyrtarizoi kandidaturën e Arbër Vllahiut për kryetar të Prishtinës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se zyrtarizimi i kandidaturës së Vllahiut është i veçantë, për faktin se bëhet fjalë për udhëheqjen e kryeqytetit të Kosovës. Ndërsa vetë Vllahiu tha se pos që është nder, kjo është edhe një përgjegjësi e madhe për të.

Zgjedhjeve lokale të këtij viti, AAK në Prishtinë do t`u hyjë me ish- gazetarin Arbër Vllahiu. Pas zyrtarizimit të kandidaturës së Vllahiut për kryetar të Prishtinës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Vllahiu është zgjidhja me e mirë nga të gjithë për Prishtinën.

“Nominojmë sot zotëri Arbër Vllahiun kandidat për kryetar. Të flas unë për Arbërin, ndoshta është tepër për të gjithë ne, por nga përvoja ime Arbëri unifikon në vete vlera të udhëheqësit, të lidershipit të një mendimtari, të atij që mendon, të atij që mundet ato mendime me i kthyer në plan. Por jo vetëm kaq, të dikujt që di t’i zbatojë vlera që janë edhe intelektuale, të nevojshme, që janë të lavdërueshme për secilin që përfaqëson shoqërinë, që përfaqëson vendin. Unë besoj që çdo qytetar i Prishtinës me Arbërin do të gjente kryetarin e vet”, ka theksuar Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

I nominuari për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Arbër Vllahiu, tha se ndien përgjegjësi të madhe për të kërkuar votën e qytetarëve të Prishtinës.

“Kam pak javë në Aleancën dhe ju sërish më keni nderuar me besimin për të qenë kandidat për kryetar të Prishtinës. Ju po më ofroni ëndrrën e Prishtinës, po më jepni mundësinë dhe njëkohësisht përgjegjësinë për t’u sprovuar me fuqitë e votës dhe besimin e qytetarëve të kryeqytetit", ka theksuar Arbër Vllahiu, kandidat i AAK-së për kryetar të Prishtinës.

Vllahiu tha se ka ardhur koha e ndryshimeve për një Prishtinë ndryshe.

“Ka ardhur tani koha që tani bashkë ta ndryshojmë të tashmen e këtij qyteti, për ta bërë të ardhmen më të mirë, duke ia kthyer dashurinë e vjedhur, duke ia kthyer qytetarit pronësinë mbi qytetin e tij, duke shfrytëzuar mundësitë e humbura e të shpërdoruara e duke e bërë këtë qytet të dinjitetshëm e më të mirë. Ka ardhur koha që qytetin e përbuzur e të nëpërkëmbur të Prishtinës ta kthejmë në këmbët e tij, që qytetarëve të tij t’iu shërbej me përkushtim, sepse vota e tyre vlen. Ka ardhur koha që Prishtina të bëhet kryeqendër me tiparet e saj. Dhe këto slogane të bukura do të bëhen realitet me njerëzit që asnjëherë nuk e kanë thyer besimin e qytetarëve, me njerëzit që kanë guximin të përballen me sfidat më të mëdha, me njerëz që dashurinë për Prishtinën nuk e kthejnë në rrënimin e saj”, ka shtuar Vllahiu.

Nga partitë e mëdha të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit ka mbetur vetëm LDK ajo që ende nuk ka vendosur se me kënd do t`i futet garës për kryetar të Prishtinës. PDK do të garojë me Lirak Çelajn, Vetëvendosje me kryetarin aktual Shpend Ahmetin, dhe AAK me Arbër Vllahiun.

 

Autor: Arton Mulliqi