Serwer: Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës

Serwer: Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës

Analisti amerikan, Daniel Serwer, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.

Ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë atë nga Kushtetuta sa më parë. Duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh duhet të pasojnë më tej.

Është paralajmëruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zhvillohet në nivel presidentësh. Sa mund të jetë e pritshme kalimi i dialogut në një fazë të tillë?

Serwer: Presidentët kanë krijuar një raport reciprokisht të respektueshëm, i cili duhet të mbështetet. Por sigurisht paqëndrueshmëria politike në anën e Prishtinës mund ta bëjë dialogun të vështirë. Nga ana e Beogradit gjërat duken mjaft të qëndrueshme tani për tani, edhe nëse disa kundërshtojnë vlefshmërinë e zgjedhjeve të fundit.

Presidenti i Serbisë Vuçiq ka paralajmëruar një debat të brendshëm për Kosovën. A prisni që lidershipi në Beograd, në kuadër të proceseve eurointegruese, ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj?

Serwer: Unë pres që Serbia në kuadër të procesit të eurointegrimit të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke përfshirë (por jo vetëm) heqjen e saj nga Kushtetuta.  Anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh duhet të pasojnë më tej. Pyetja është nëse kjo do të bëhet në çastin e fundit para pranimit në BE kur levat negociuese do të jenë krejtësisht në anën e BE-së ose më herët kur Beogradi mund të shpresojë të marrë një marrëveshje më të mirë. Unë mendoj se është më mirë të bëhet kjo sa më parë sesa më vonë, por sigurisht që i takon serbëve e jo të huajve që të vendosin dhe do të varet nga rezultati i debatit të brendshëm që presidenti i ka propozuar.

Serwer: Më mirë kompromis sesa zgjedhje

Analisti amerikan, Daniel Serwer duke folur për situatën aktuale politike dhe ngërçin dymujor, ka thënë se kjo zvarritje do të ketë edhe koston e vet.

Më tej analisti amerikan ka thënë se do të ishte shumë më mirë sikur klasa politike kosovare do të arrinte deri te një konsensus politik për gjetjen e një zgjidhjeje sesa vendi të dërgohej në zgjedhje të reja parlamentare.

Z. Serwer, as dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk po mund të formohen institucionet qendrore si pasojë e mosunitetit politik. A po humb Kosova në raport me institucionet ndërkombëtare si pasojë e këtij ngërçi politik?

Serwer: Sigurisht që ngërçi politik do të ketë koston e vet, mirëpo edhe këto “varësi -ngërçe” të parlamentit ndodhin. Madje edhe në demokraci, të cilat kanë shumë më shumë eksperiencë, politikanët shpeshherë bëjnë me muaj të tërë për të krijuar qeverinë e re. Në ndërkohë, ekziston një kujdestar në vend. Unë besoj që po bën punën e nevojshme dhe të domosdoshme të Qeverisë.

Koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) ka dalë më i madhi në zgjedhjet e 11 qershorit, mirëpo i mungojnë numrat e nevojshëm për ta formuar Kuvendin dhe Qeverinë. Në mungesë të votave të nevojshme ky koalicion nuk po merr pjesë as në seancat e Kuvendit, pavarësisht ftesës së SHBA-së, të Gjermanisë, të Francës, të Anglisë, të Italisë që të shkojnë në Kuvend. A duhet përfaqësuesit politikë të gjejnë zgjidhje kompromisi, pasi vendi rrezikon që përsëri të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Serwer: Unë vetëm shpresoj që njerëzit do t’i bëjnë përpjekjet e duhura që të arrijnë deri te një zgjidhje me kompromis më parë se të vendosin për zgjedhje të reja. Megjithatë, vendimi u takon kosovarëve e jo të huajve.


MË SHUME NGA Intervista