Sokol Bashota nderon me libër Tahir Deskun

Sokol Bashota nderon me libër Tahir Deskun

Sokol Bashota ka botuar këto ditë një përmbledhje me poezi të Tahir Deskut, të titulluar “Unë jam në çdo vend”. Këtë përzgjedhje Bashota e ka përgatitur dhe botuar me rastin e përvjetorit të ditëlindjes së poetit të ndjerë, Tahir Desku, i cili 12 vjet më parë ka ndërruar jetë në komunikacion.

Promovimi i kësaj përmbledhje, siç bëhet me dije në një ftesë publikuar në llogarinë e Sokol Bashotës në “Facebook”, do të bëhet më 8 shtator të këtij muaji, në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, në orën 13.00, në manifestimin letrar tradicional “Ora e Tahir Deskut”, me ç’rast do të jepet çmimi “Ora e Tahir Deskut” për veprën më të mirë letrare dhe do të mbahet një orë letrare, në të cilën do të garojnë poetë shqiptarë, poezitë e të cilëve do të shpërblehen me të holla.

“Unë jam në çdo vend” ka një parathënie të gjatë, prej 13-faqesh, në të cilën njoftohet njohja e Bashotës me Tahirin, me katër librat e tij që i kishte marrë dhuratë nga i ndjeri, edhe të pestin e tij që e kishte siguruar nëpërmjet miqve dhe për idenë që kishte për këtë botim. Përpos që në planin atdhetar shquan figurën e Tahirit, Bashota në parathënie shkruan edhe për punën e tij të vyeshme prej gazetari të luftës, edhe për krijimet e tij artistike, për poezinë atdhetare të tij, të cilën e çmon fort dhe e radhit, ndër më të mirat nga krijuesit e kësaj fryme.

Ndër të tjera, kjo përmbledhje dhe përzgjedhje ka këtë renditje: ka pesë ndarje, të cilat fillojnë me titujt e librave të Tahirit: “Prejardhja e dashurisë”, “Nga biografia e pashkruar”, “Idil dhe vetmi”, “Engjëjt e lirisë”, “Në cilin gjeth e kam vdekjen”, nga të cilët janë marrë për këtë botim poezitë e tij. Po ashtu ka, në fund, një jetëshkrim të shkurtër të Tahirit dhe një tjetër të Sokolit. Për tre librat e parë të Tahirit Sokoli shkruan më shkurt, kurse për dy të fundit, për “Engjëjt e lirisë” dhe “Në cilin gjeth e kam vdekjen”, pak më gjatë.

Bashota në vlerësimin e vet për veprat e Tahirit thotë se ai nuk vajtonte për luftëtarët e vrarë të UÇK-së, por këndonte me zë të lartë dhe me shumë krenari. Në këtë poezi ka përmbledhje të poezive shkruar për Adem Jasharin dhe familjen e tij, për Mujë Krasniqin dhe bashkëluftëtarët e tij, për Rasim Kiçinën, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin, Bekim Berishën, Edmond Hoxhën, Jakup Agushin, Visar Krasniqin, Avni Beqirin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën, Rexhep Bislimin e Vezir Jasharin, Malush Ahmetin e për disa të tjerëve që i bëjnë dritë lirisë dhe atdheut tonë, shkruan Bashota në parathënien e librit.