Gani Mehmeti: Mavriqi i Llapit ose Shqipnia e vogël

Gani Mehmeti: Mavriqi i Llapit ose Shqipnia e vogël

Me rastin e 13 shtatorit të vitit 1990, kur disa qindra ushtarë serbë me qindra  automjete luftarake e tanksa kishin sulmuar Pollatën, duke vrarë Besim Hashim Latifin dhe Skënder  Hamit Monollin, nipin e Osman Pollatës, me ç`rast ishin plagosur disa veta dhe burgosur dhjetëra sish.

Në përbërje të Mavriqit të Llapit hyjnë pesë fshatra: Pallata, Potoku, Dvorishta, Sllatina dhe Reçica. Deri vonë, në regjistrimet e mëhershme ishin vendbanime edhe Uglari, Bellosha dhe Kokorovica, që krejt këto kanë një sipërfaqe  prej më pak se 40 km2 , ose më saktë 3966 ha, 54 ari, 72 m, pra më pak se gjysma e territorit  të falur Malit të Zi nga Komisioni Shtetëror  i Kosovës.

Përveç fshatrave e rajoneve  tjera të trevës së Llapit, në luftërat kundër çdo pushtuesi janë shquar me të madhe banorët e Mavriqit të Llapit, të cilin Mehmet Gradica gjatë Luftës së Dytë Botërore, me të drejtë, e kishte quajtur Shqipnia e Vogël, dhe po shtoj, se sikur të kishte qëndruar çdo vend kundër armikut sa Mavriqi, vërtet do ta kishim  SHQIPËRINË ETNIKE. Mavriqasit e Llapit kanë vrarë nga serbët kryetar komune, mjek, harambashë, plaçkitës, kriminelë dhe secilin që po tregohej kundër interesave të popullsisë shqiptare në këtë anë.

Është përcjellë gojë pas goje se në Mavriq të Llapit numër i vogël meshkujsh kanë vdekur në shtrat! Shumica e meshkujve në Mavriq kanë vdekur nga pushka, duke luftuar armiqtë tonë shekullor. Këta janë varë në mbrojtje të vendit dhe në luftë për çlirim që nga koha e Perandorisë Turke e deri në ditët tona, pra deri me përfundimin e luftës së vitit 1999.

Mavriqi, deri sa nuk i kam hyrë studimit të këtij rajoni, nuk e kam marrë me mend se ka kaq shumë vlera historike e atdhedashëse. Këtu jeta nuk ka pasur vlerë pa liri. Këtu është ambienti naimian që i shtie frikën udhëtarit, e këtu armiku,  asnjëherë nuk ka qenë i lirë në lëvizje këtyre anëve, sepse, ai e ka ditur mirë se çka e ka pritur. Në asnjë vend e në rajone të rralla janë vrarë kryetarë komunash, sekretarë e mjekë, ndërsa këtu po. Këtu janë vrarë edhe harambashët, edhe plaçkitësit edhe të gjithë zullmqarët e popullit dhe vendit. S’kanë duruar askë. Këtu më shtrenjtë është llogaritur një fishek, se sa një jetë! Prandaj, jo që meriton ky vend, ky popull të shkruhet për të, por vështirë të shkruhet e tëra dhe ashtu siç ka ndodhur, sepse ngjarjet i ka mbuluar pluhuri i harresës historike, që pëstaj janë krijuar edhe variante të ndryshme rreth tyre. Këtu, sikur tek kënga “Te Shkëmbi i Kavajës” shtatë vjeç djali ka pasur armën, me të cilën ai është ushtruar dhe shpesh e ka përdorur në vend të lodrës. Këtu për atdhe, për nder, për moral, jeta nuk është kursyer fare.

Ky vend, që dikur ka vluar jeta në të, duke përfshirë bagëti që janë bërlykur qe, kanë blegëruar qengjat, kanë lehur qentë pas ujqërve të tërbuar, është dëgjuar fyelli i bariut, zëri i ëmbël i bareshës, kur me kënaqësi lëvrohej toka nga bujqë të vyer, kur edhe zëri i vekatoreve në vek e i ninullave të nënave për fëmijët në djep, nuk kishte të ndalur për vazhdimin e jetës, që nga lindja e deri në varr kishte një ëmbëlsi. Po, po, edhe vdekjet ishin më të ndryshme, po vdekje të shumtën ishin nga pushka, në mbrojtje të atyre që e thamë më parë: lirisë, nderit e moralit, pse jo edhe krenarisë.

Ky vend, i cili i ka dhënë aq zë vendit në përgjithësi, që ka qenë dhe mbetet shembull  për gjeneratat e ardhshme, të mbetet i pabanuar dhe ta humbi kenarinë e derisotme, është një vetëvrasje.

Kuvend ka merituar fabrika të përpunimit të drurit, ka merituar zhvillimin e blegtorisë dhe të turizmit. Të gjitha këto do të zhvilloheshin, të paktën menjëherë pas luftës, që të mos mbetet pa banorë, të cilët do ta mbronin edhe vendin në brezin kufitar që ndodhen.

Nga këta banorë qe mbrojtur edhe kufiri deri sot, kush do ta mborjë tani e tutje?

Duke qenë të tillë, Mavriqi shquhet për numrin e madh të trimave që nga tragjedia e familjes të Demë Ahmetit e deri më sot. Të tillë ishin edhe Skënder Monolli e Besim Latifi që heroikisht ranë më 13 shtator 1990, duke qëndruar me armë në dorë kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Edhe sot, me rastin e 27 vjetorin e rënies së tyre, i përkujtojmë për heroizmin e tyre. Lavdi u qoftë!


MË SHUME NGA Histori