Peshkatarët e perlave: Dinastia Mula përsërit historinë e Lejlas

Peshkatarët e perlave: Dinastia Mula përsërit historinë e Lejlas

E realizuar për herë të parë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në vitin 1964 opera Peshkatarët e perlave rikthen Inva Mulën, në rolin e Lejlas që dikur e ka luajtur sopranoja Nina Mula, dhe rivënë sërish nga e bija, në vitin 1990.

Opera me tri akte “Peshkatarët e Perlave” e Bizet hap sezonin artistik të Teatrit të Operas dhe Baletit, me një histori protagonizmi nga pas të personazheve femërore të familjës Mula.

E realizuar për herë të parë në skenën e TOB, në vitin 1964 opera Peshkatarët e perlave rikthen Inva Mulën, në rolin e Leilas që dikur e ka luajtur sopranoja Nina Mula, dhe rivënë sërish nga e bija, në vitin 1990.

Dhe ja, tani pas afro 53 vitesh kjo vepër rikthen Inva Mulën më 22 shtator, këtë herë si regjisore dhe protagonist e veprës. Nga Opera është krijuar një histori përmes fotove, me pasazhe nga shtypi dhe pritja publike e veprës. Në ’90-ën zëri i Invës krijoi një atmosferë duke parashikuar pothuaj ardhmërinë e sopranos, atëherë menduar në TOB.

E cilësuar asokohe si një artiste e re shumë e talentuar, për Inva Mulën jepej vlerësimi: “Ajo arriti të “vizatojë” një Lejla herë delikate, herë pasionante dhe diti të alternojë bukur lirikën akute me shpërthimet dramatike”; “Zëri i pastër dhe i manovrushëm i sopranos Inva Mula solli në skenë ëmbëlsi. Ajo komunikon natyrshëm me personazhet e tjerë”; “Me dinjitet artistik u interpretua nga Inva Mula roli i Lejlas.

Kjo këngëtare e re që këto vitet e fundit po debuton në pothuajse të gjitha operat e repertorit të Teatrit të Operas, edhe këtë radhë manifestoi cilësitë e saj si një interpretuese e zonja.” Premiera do të jepet në skenën e Pallatit të Kongreseve, ku do i bashkohen emra të njohur të skenës operistike shqiptare, por dhe të huaj si si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlas.

Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, opera “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1990 është ngjitur në skenë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, ku rolin e Lejlas e interpretonte Inva Mula. Janë disa mjështër të skenës operistike shqiptare, që kanë interpretuan këtë vepër vite më parë si Nina Mula dhe Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi. Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP.

Premiera e parë e operas “Peshkatarët e Perlave” në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor mban datën 7 mars të vitit 1964. Një produksion ky që u vu në skenë me regji të Luigj Gurakuqit, dirigjim të Mustafa Krantjas dhe dekore e kostume të Shadan Toptanit. Ndërkohë që në TKOB vijojnë provat për “Peshkatarët e Perlave”, në një tjetër ambient bëhet e ditur se skulptori Renold Sula po punon për skenografinë madhështore të kësaj premiere.  

Georges Bizet, kompozitor i madh e artist realist. Simfoninë e tij të parë Georges Bizet e shkroi kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç, si një detyrë studentore. Duket se Bizet e harroi krejtësisht atë deri kur u zbulua përsëri në vitin 1935, në arkivat e bibliotekës së Konservatorit. Kjo vepër e tij spikati për freskinë muzikore të jashtëzakonshme.


MË SHUME NGA Kulturë