Del në treg “Çfarë ndodhi”, libri më i ri i Hillary Clinton

Del në treg “Çfarë ndodhi”, libri më i ri i Hillary Clinton

Dje doli në treg libri i ri i Hillary Clintonit, i titulluar “What Happened”, “Çfarë ndodhi”, ku ajo detajon fushatën presidenciale të vitit të kaluar dhe shkruan për faktorët që ajo beson se sollën humbjen e saj të papritur.

Libri që po shkakton reagime të kundërta, po përshkruhet si transparent dhe i mprehtë. Zonja Clinton pranon gabimet e saj por njëkohësisht mbron strategjinë e fushatës së saj. Ajo përmend disa faktorë dhe persona që ajo beson se kontribuan në humbjen e zgjedhjeve.

Ajo nuk i kursen kritikat për zotin Trump, duke e quajtur atë “një rrezik të qartë dhe të pranishëm për vendin dhe botën”.Ajo përmend si arsye të tjera ndërhyrjen e hakerave rusë, betejën përçarëse në zgjedhjet paraprake nga Bernie Sanders, si edhe seksizmin.

Ajo shkruan se pyet veten herë pas here se çfarë do të kishte ndodhur nëse Presidenti Obama do të kishte mbajtur një fjalim para kombit në vjeshtë të vitit të kaluar ku të thoshte se demokracia amerikane po sulmohej, duke iu referuar faktit që zoti Obama, ishte në dijeni të ndërhyrjes ruse. Ajo gjithashtu tregon se ish-presidenti i kishte sugjeruar që të mos ta sulmonte zotin Sanders në garën e demokratëve, megjithëse ajo donte ta thoshte hapur që planet e tij nuk ishin realiste dhe ishin më shumë ëndrra me sy hapur.

Zemërimin më të madh ajo e ka quajtur për ish-drejtorin e FBI-së, James Comey. Ajo shkruan se të gjitha teoritë për arsyet e humbjes duhet të vihen përballë provave se po fitonte deri më 28 tetor, kur Jim Comey iu rikthye çështjeve të emaileve të saj duke thënë se po rihapte hetimin. Ajo shpreh gjithashtu pakënaqësinë ndaj asaj që e quan një mbulim të padrejtë nga media.