Tregu financiar – Shoqatat nënshkruajnë memorandum

Tregu financiar – Shoqatat nënshkruajnë memorandum

Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë dhe Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve nënshkruan të mërkurën një Memorandum e Bashkëpunimi. Sipas memorandumit, palët synojnë të sjellin risi në treg në emër të zhvillimit të sektorit financiar në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë.

“Sigurisht një memorandum nuk bën çudinë por sjell sinergji të reja. Dhe kjo është e padiskutueshme që të tre së bashku, me të gjithë aktorët që janë nga pas: anëtarët e shoqatave përkatëse, duan që t’u përgjigjemi kërkesave të tregut, zhvillimeve të reja që ndodhin edhe në tregjet e përparuara, sa më mirë dhe për të ndihmuar, kontribuar më mirë në rritjen e ekonomisë”,u shpreh Spiro Brumbulli, Shoqata Shqiptare e Bankave.

“Është hapi i parë i një bashkëpunimi vërtet të suksesshëm dhe afatgjatë, pasi eksperiencat e shoqatave dhe kryesisht eksperienca e Shoqatës së Bankave, e cila është më e avancuara në ëktë fushë, lidhur me trajnimin, lidhur me edukimin financiar, lidhur me procedurat apo produktet e implementuara në treg, do të mirëpriten nga dy shoqatat tona”, tha Edvin Libohova, nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë.

“Tregu bankar është një treg më i konsoliduar për mendimin tim, një treg i cili është me rregulla më të qarta dhe perspektivë dhe besoj që do t’i shërbejë kësaj marrëveshjeje, këtij bashkëpunimi të tre aktorëve për të ndjekur edhe nga shoqatat e tjera, veçanërisht nga Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimi”, u shpreh Naim Hasa, përfaqësues i kësaj shoqate.

Tre shoqatat do të bashkëpunojnë përmes seminareve, përgatitjes së projekteve, propozimeve, nëpërmjet trajnimeve për koordinimin e produkteve bankare dhe atyre të sigurimit, si edhe përmes shkëmbimit të informacionit dhe publikimeve të përbashkëta. Sipas drejtuesve të shoqatave, sektori financiar ndjen domosdoshmërinë e bashkëpunimit për të ofruar praktikat më të mira ndërkombëtare në interes të ofruesve dhe përdoruesve të produkteve dhe shërbimeve financiare.

/SCAN