Sipas Qeverisë, deklarata e Haradinajt për gazetarë, u keqkuptua

Sipas Qeverisë, deklarata e Haradinajt për gazetarë, u keqkuptua

Menjëherë pas reagimit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) drejtuar kryeministri Ramush Haradinaj, lidhur me përplasjen e tij me gazetarët, ka reaguar Zyra e kryeministrit.

Nëpërmjet  një deklarate për media, Kryeministria thotë se Ramush Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë, ndërsa deklarata është keqkuptuar.   

“Sot pasdite kemi marrë një letër nga AGK, e cila një apel të kryeministrit Haradinaj që disa gazetarë të jenë më profesionistë dhe më të shkolluar, e ka konsideruar si ofendim ndaj gazetarëve dhe mediave.  Haradinaj ka kërkuar vetëm profesionalizëm dhe etikë prej disa gazetarëve dhe asgjë më shumë”, thuhet në komunikatë.

Sipas të njëjtit reagim, Kryeministria shpreh keqardhje “nëse dikush, nga mosdija apo qëllimisht, ka bërë cilësime të pasakta të kësaj natyre”.

“Kryeministri Hardinaj dhe kabineti i tij e kanë filluar punën duke qenë më të hapur se cilado Qeveri e mëparshme ndaj medieve dhe gazetarëve, dhe kështu do të jetë deri në fund të mandatit. Transparenca jonë duhet të jetë e mjaftueshme që gazetarë dhe media të caktuara po ashtu të jenë korrekte dhe profesionale në raport me kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë e tij”, thuhet në reagimin Zyrës për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeministrit.

Ndryshe, reagimi i Zyrës së Kryeministrit pason një reagim të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili shprehu shqetësim me deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ironizoi me përgatitjen profesionale të gazetarëve.

“AGK e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit ndërkohë që deklaratat e bëra nga ai paraqesin ofendim ndaj gazetarëve në vend. Duke përcjell me shqetësim këtë deklarim të kryeministrit të ri, ne rikujtojmë se misioni i gazetarëve është që të bëjnë pyetje sa herë që ata kanë nevojë për përgjigje ndërkohë që përmbajtjen e pyetje nuk do të mund ta kontrollojë askush”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Me këtë rast, AGK kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë bashkëpunues me gazetarë si dhe të punojë intensivisht në rritjen e bashkëpunimit me media si dhe transparencës së qeverisë.

Ndryshe, sot në një konferencë për media, Haradinaj në ditën e tretë të detyrës së tij si kryeministri i vendit, është përplasur me gazetarët, pasi një pyetje rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Haradinaj i ka thënë gazetares që të shkojnë më shumë në shkollë sepse nuk po e kuptojnë esencën

“Kam respekt për media shumë besoni. Por shumica juaj, as nuk dini me lexu anglisht, as s’po dini me i kuptu çka kanë thanë. Problem është i juaji. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa e dit si raportoni, besoni. Shkoni më shumë në shkollë, këqyrni çka po thonë ata. E shoh unë çka kanë thanë, e kam lexu deklaratën e tyre...”, tha Haradinaj. /RTKLive/