“Blerja e Toni Kroos nga Real Madrid është vjedhja e shekullit”

“Blerja e Toni Kroos nga Real Madrid është vjedhja e shekullit”

Toni Kroos ka qenë vjedhja e shekullit për Real Madrid, sipas agjentit të lojtarit.

27-vjeçari Kroos, i cili iu bashkua Madridit nga Bayern Munich për 25 mln euro në vitin 2014, vetëm disa ditë pasi kishte fituar Kupën e Botës me Gjermaninë, ka fituar dy Champions League, një titull të La Liga-s, dy Kupa Bote për klube, dy Superkupa evropiane dhe Superkupën spanjolle në “Bernabeu”.

“Duke parë shumat e transferimeve në ditët e sotme, dhe më pas të kujtojmë se Toni u transferua për vetëm 25 mln euro, mund të thuhet me plotë gojë se Kroos ishte vjedhja e shekullit për Real,” shprehet Volker Struth për Sport Bild.

“Drejtuesit e Real vetëm pas finales së Cardiffit na thanë se janë akoma shumë të kënaqur që kanë në skuadër një lojtar si Toni. Imagjinoni, po atë vit James Rodriguez i kushtoi Real Madrid plot 80 mln euro. Nuk mundëm të arrinim marrëveshjen me Bayern në 2013, ndërsa Toni vetëm po përmirësohej nën drejtimin e Guardiola-s, ai ishte – jo vetëm për mua – lojtari më i mirë i Kupës së Botës në Brazil. Më pas ai nuk ishte i lumtur me ofertën e Bayern, kështu që ndodhi transferimi te Real Madrid.”