Kosova synon të ketë nivel të njëjtë me vendet tjera në komunikim

Kosova synon të ketë nivel të njëjtë me vendet tjera në komunikim

Drejtoresha e Arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Drita Kadriu, ka thënë se në arsimin e lartë kanë ngecje shumë të mëdha në përdorimin e teknologjisë në fushën e komunikimit.

Ajo këto komente i bëri gjatë konferencës internacionale për studimet mbi median dhe komunikimin, organizuar nga Kolegji AAB.

Kadriu tha se konferencat e tilla, pavarësisht pse janë organizuar nga një institucionet privat kanë ndikim të madh në zhvillimin e masmediave dhe mediave sociale në Kosovë.

Ajo ka thënë se synojnë që edhe Kosova të jetë në nivel të njëjtë me vendet tjera në fushën e komunikimit dhe medias.

Rolando Marini nga Universiteti i Italisë tha se shkëmbimi i eksperiencave të ndryshme që kemi nga vendet e ndryshme janë të rëndësishme, pasi kontribuojnë në rritjen e komunikimit mes vendeve të rajonit.

Zhaneta Trajkosvka nga Shkolla e Gazetarisë dhe Marrëdhënieve Publike, tha se edhe pse nuk ka shumë informacion mbi median në Kosovë, e di që Kosova ka më shumë liri për median dhe gazetarët, në krahasim me Maqedoninë.

Ndërsa, Ramadan Çipuri nga Universiteti Bedër, tha se shkollat e gazetarisë janë model për fushat e hulumtimit dhe studimit për të gjitha shkollat e trevave shqiptare.

Çipuri tha se beson që shumë shpejt do të kemi një shkollë shqiptare të medias dhe komunikimit, e cila do të bashkojë të gjithë studiuesit e media dhe komunikimit.