Nxënësit e klasës së parë, tri javë pa libra

Nxënësit e klasës së parë, tri javë pa libra

Tri javë pas fillimit të procesit mësimor, fëmijët e klasës së parë të paraleles pesë (5) në shkollën “Faik Konica” në kryeqytet, vazhdojnë të vijojnë mësimin pa libra.

Mësimdhënësja e tyre, gjatë këtyre javëve është munduar që 35 nxënësit e saj t`i mbajë më të vëmendshëm në mësime në mungesë të librave, duke iu bërë fotokopje për çdo ditë njësitë mësimore. Edhe pse mësuesja ka bërë një lloj të zgjidhjes për këtë çështje, prindërit janë tejet të shqetësuar, që fëmijët e tyre ende nuk kanë asnjë libër shkollor.

 “...edhe në klasën e vajzës sime nuk janë të pajisur me libra shkollor...është shumë shqetësuese që fëmijët e klasës së parë, ma merre mëndja, që kanë më shumë entuziazëm nëse do të ishin të pajisur me libra të cilët mezi që nuk kanë prit me fillu shkolla...”, tha Albina Spahiu, prind.

Mungesën e teksteve shkollore, drejtuesit e shkollës “Faik Konica” e arsyetojnë me regjistrimin e fëmijëve pas afatit të rregullt të qershorit. Por, ata theksojnë se kanë kërkuar një reagim pak më të shpejtë nga Ministria e Arsimit për pajisje me libra, gjë e cila pritet të ndodhë. Kërkesa nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ishte bërë më 31 gusht.

 “...numri i nxënësve që është planifikuar të merren në shkollën tonë 160 nxënës në pesë paralele, për shkak të ndërtimeve këtu afër lagjes që ka pas ndërtime të mëdha është rritë numri edhe për 35 fëmijë...”, deklaroi ndërkaq  Arsim Gashi, zëvendësdrejtor në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Për këtë çështje, se kur do të sigurohen tekstet shkollore për këta fëmijë të klasës së parë, zëdhënësi i MASHT-it, Valmir Gashi, ka rekomanduar  që një përgjigje të tillë të marrim në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë.

E nga kjo e fundit nëpërmjet telefonit konfirmuan se 35 fëmijët e klasës së parë në shkollën fillore “Faik Konica” do të pajisen me tekste shkollore të hënën e javës që vjen.