Bytyqi: Arsimi parauniveristar dhe universitar, prioritet i ministrisë

Bytyqi: Arsimi parauniveristar dhe universitar, prioritet i ministrisë

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në intervistën dhënë Radio Kosovës, ka thënë se janë akoma në fazën e identifikimit të të gjitha problemeve që ekzistojnë në arsim, porse siç tha ai, se janë të vetëdijshëm se cilësia e arsimit parauniveristar dhe universitar nuk është në nivelin e duhur. Prandaj, këto sipas tij, do të jenë ato parimet e tyre të para, të cilat në prioritetet tyre do të zënë vend në programin qeverisës të kësaj periudhe katër vjeçare.

Bytyqi tha se kanë identifikuar se aktualisht niveli parashkollor dhe ai parauniversitar nuk e ka cilësinë e duhur të arsimit. “Në këtë masë, jemi të detyruar që të marrim hapa konkretë, në mënyrë që të ndryshohet cilësia e arsimit, ai parauniversitar dhe universitar”, tha ministri Shyqiri Bytyqi.

Radio Kosova: Z. Ministër, sapo keni marrë mandatin e Ministrit të Arsimit, a i keni identifikuar problemet dhe sfidat që ju presin në sistemin arsimor, cilat janë ato?

Shyqiri Bytyqi: Faktikisht në momentin kur e kemi marrë këtë përgjegjësi kemi qenë të informuar dhe të vetëdijshëm që po futemi në një rrugë që ka probleme dhe sfida të mëdha. Jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin në përgjithësi për arsimin në Kosovë. Ne jemi akoma në fazën e identifikimit të të gjitha problemeve që ekzistojnë, por ajo çka jemi të vetëdijshëm është se cilësia e arsimit parauniveristar dhe universitar nuk është në nivelin e duhur. Këto do të jenë ato parimet tona të para, të cilat në prioritetet tona do të zënë vend në programin qeverisës të kësaj periudhe katër vjeçare. Ne kemi identifikuar se aktualisht niveli parashkollor dhe ai parauniversitar nuk e ka cilësinë e duhur të arsimit. Në këtë masë, jemi të detyruar që të marrim hapa konkretë, në mënyrë që të ndryshohet cilësia e arsimit, ai parauniversitar dhe universitar. Ne mendojmë që duhet të kemi hapa konkretë, kemi menduar që të kemi transformim të arsimit parashkollor, që është i rëndësishëm dhe nuk është mirë i zhvilluar në përgjithësi në Kosovë. Pra, kemi një numër tejet të vogël të fëmijëve që e ndjekin mësimin parashkollor. Ne do të marrim masa dhe të krijojmë kushte, që kjo pjesë e arsimit parashkollor të jetë më intensiv dhe të kenë të drejtë të barabartë të gjithë fëmijët të marrin pjesë, sepse është një hap i rëndësishëm për të filluar pastaj pjesën e mësimit parauniversitar. Një ndër masat që do të marrim shumë shpejt, është çështja e një modeli të ri arsimor, sepse jemi duke konsideruar se pas aprovimit të kurrikulave, kemi një mospërputhje mes programeve dhe kurrikulave. Në këtë drejtim, jemi të interesuar që të kemi një model të përshtatshëm, i cili do të jetë i përshtatshëm edhe për kurrikulat, por në veçanti do të jetë i përshtatshëm për ngritjen e cilësisë në arsimin parauniversitar.

Radio Kosova: Kur morët mandatin si ministër i Arsimit, deklaruat se prioritet do të vazhdojë të jetë ngritja e cilësisë. Cila është cilësia e arsimit në Kosovë, dhe sa jeni i kënaqur me atë që është arritur?

Shyqyri Bytyqi: Të themi të drejtën janë bërë disa hapa për ta ndryshuar gjendjen në arsim. Por, në analizat e tërësishme, bazuar edhe në testin ‘PISA’, që nuk dha rezultate të mira, nuk është gjendja e mirë, nuk është gjendja fare që duhet të jetë në nivelin e cilësisë së arsimit. Kjo është arsyeja se jemi të detyruar që menjëherë të marrim masa për ta ndryshuar këtë. Konsiderojmë që kemi identifikuar shumë gjëra që mund t’i ndryshojmë. Kemi pasur një takim me ministren e Arsimit në Tiranë, ku jemi dakorduar që së bashku të formojmë grupet punuese, në mënyrë që të gjejmë një model të arsimit, një sistem arsimor të përshtatshëm, që mund të jetë edhe sistem i përbashkët Kosovë-Shqipëri, flasim gjithmonë për sistemin parauniversitar. Ajo çka kemi konstatuar deri më tani, që është shqetësim i përgjithshëm qoftë i mësimdhënësve, qoftë i prindërve, rezulton se kemi ngarkesë të madhe të mësimeve dhe kërkesave për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën. Këtu jemi në fazën që do ta shqyrtojmë për të gjetur një model, i cili do të krijojë një arsimim shumë cilësor e logjik të këtyre fëmijëve, të mos jetë i mbingarkuar, kur në moshën e mëvonshme fëmijët kur kanë mundësi të thithin më shumë dije, pothuajse janë të lodhur nga ngarkesa që u bëhet.

Radio Kosova:  Të arriturat e rëndësishme në arsim janë edhe ato në fushën e legjislacionit si dhe dokumente strategjike. Tashmë ka filluar të zbatohet kurrikula e re e arsimit parauniversitar, çfarë mund të na thoni për këtë. Po kurrikula për arsimin profesional,  kur pritet të jetë e gatshme për zbatim?

Shyqiri Bytyqi: Sa i përket kurrikulave konsideroj se është bërë një punë e madhe, një punë e mirë. Ato tani janë në zbatim në krejt nivelet dhe nga vlerësimet që kemi deri tani, rezultojnë që kurrikulat kanë një përgatitje të mirë dhe janë të qëndrueshme. Sipas analizave që kanë bërë edhe ekspertët e jashtëm, del që këto kurrikula janë profesionale dhe na japin një qëndrueshmëri të arsimit deri në vitin 2030. Ka vështirësi dhe ka pasur disa probleme teknike. Ka vështirësi në zbatimin e tyre, që në këtë rast duhet të kemi edhe avancime shtesë profesionale për mësimdhënësit, në mënyrë që ta kenë sa më të qartë aplikimin e tyre. Krejt çka na mbetet është që, programi të përshtatet me kurrikukat, në mënyrë që të na japë rezultatin që dëshirojmë dhe presim që të kemi një arsim ndryshe nga ai aktual. Sa i përket kurrikulave të arsimit profesional, jemi shumë të interesuar që arsimi profesional të marrë zhvillimin e duhur, e kemi futur në prioritetet tona të programit, që shumë shpejt pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Ne mendojmë që arsimi profesional do të jetë shtyllë e zhvillimit të përgjithshëm në Kosovë. Konsiderojmë se nëse ne do t’ia arrijmë, do ta bëjmë një ndarje të qartë nga klasa e nëntë e tutje, që të identifikojmë se cilët fëmijë kanë aftësi për të vazhduar në arsimin profesional dhe cilët të vazhdojnë në gjimnaz dhe që më vonë do të jenë edhe studentë të universitetit. Mirëpo, ne mendojmë që paraprakisht të krijojmë kushte, që të kemi vërtet infrastrukturë të mjaftueshme për arsim profesional, në mënyrë që këta nxënës të dalin profesionistë të vërtetë dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës në Kosovë. Nëse ne këtë e arrijmë, që jemi shumë të vendosur ta shtyjmë përpara, atëherë do ta rrisim në masë të madhe edhe cilësinë në arsimin universitar. Pjesa e vogël e studentëve që do të vijnë për të studiuar në universitete, ata do të jenë të interesuar që të kërkojnë universitete që japin një edukim cilësor e profesional në përputhje me standardet evropiane.

Radio Kosova:  Z. Ministër, sa i përket integrimit të komuniteteve në sistemin tonë të arsimit, sfidë mbetet ende integrimi i komunitetit serb, i cili vazhdon të refuzojë plan-programet tona. Nxënësit serbë vazhdojnë të mësojnë me plan-programe të Serbisë, si do të veproni në këtë rast, si mund të ndalet ky proces i jashtëligjshëm?

Shyqiri Bytyqi: Jemi të vetëdijshëm për këtë sfidë dhe mendoj që kjo sfidë të vazhdojë. Megjithatë, ne jemi të interesuar që të krijojmë kushte të barabarta për secilin të ri në Kosovë, që të edukohet në frymën evropiane dhe besoj që në një afat jo shumë të gjatë kjo do të arrihet në Kosovë. Edhe këta fëmijë, edhe këta të rinj do të jenë të interesuar që të integrohen në arsimin tonë, sepse do ta kenë një edukim evropian dhe nuk do të kenë asnjë lloj arsye që të refuzojnë sistemin tonë të arsimit. Duke marrë parasysh edhe problemet politike dhe pengesat politike, konsideroj që jemi në fazën e mirë edhe si qeveri, që të ndryshojmë gjendjen aktuale që e kemi sot.

Radio Kosova: Këtu do të ndërlidhem edhe me njohjen e diplomave ndërmjet Kosovës e Serbisë, dihet që ka ngecje. A do të ndërmerrni hapa edhe për këtë?

Shyqiri Bytyqi: Dihet që ka pasur marrëveshje për këtë çështje, e cila nuk ka ecur më tutje. Ne sapo jemi në fazën fillestare dhe e kemi shqyrtuar me ekipin tonë. Do të marrim masa që sa më shpejt të bëhet kjo njohje e dyanshme edhe në Serbi edhe në Kosovë. Besoj se nuk duhet të ketë asnjë pengesë ligjore që kjo njohje të bëhet. Në diskutimet e ardhshme, që mund t’i kemi me shtetet fqinje, përfshirë edhe Serbinë, ne ketë gjë do ta realizojmë, pasi që veç ekziston marrëveshja për njohjen e këtyre diplomave.

Radio Kosova: Ndërkohë, furnizimi me libra për shqiptarët në Luginën e Preshevës, gjithmonë ka qenë problem. A do të ndiqni të njëjtën rrugë si në të kaluarën, apo do të merrni hapa konkretë?

Shyqiri Bytyqi: Themi që do të bëjmë një punë të mirë. Kemi një koordinim edhe me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë. Jemi dakorduar në takimin e fundit, që shumë shpejt do të kemi një takim pune ku do t’i specifikojmë edhe gjërat që do t’i bëjmë bashkë, e një ndër to është edhe çështja e librave për të gjithë nxënësit që janë jashtë territorit të Shqipërisë e Kosovës. Besoj që do të jemi të gatshëm për të marrë përgjegjësi, që këta të rinj të kenë libra të mjaftueshme për t’u edukuar siç duhet. Pra, do të bëjmë gjëra konkrete me Tiranën.

Radio Kosova: Ligji për Arsimin e Lartë është i gatshëm për gati dy vite në Kuvendin e Kosovës, por ende nuk është proceduar për miratim, pasi pengesë janë deputetët serbë, ku duhet 2/3 e votave të tyre. Si do të veproni ju? Këtu ndërlidhet edhe Universiteti në veri të Mitrovicës.

Shyqiri Bytyqi: Ne jemi duke ndryshuar situatën e përgjithshme të çështjes së integrimeve dhe besoj që edhe në këtë aspekt Ligji për Arsimin e Lartë për disa arsye është kthyer prapë. Ne kemi vendosur që këtë ligj ta rishikojmë, sepse nuk është problemi vetëm votimi i pakicës serbe, por gjithsesi duhet të bëjmë edhe disa rishikime të tjera, sepse kemi edhe disa probleme të tjera përveç çështjes së Universitetit në veri të Mitrovicës. Ne jemi në diskutim e sipër, do të formojmë grupet punuese për ta rishikuar këtë ligj, sepse ka nevojë për disa ndërhyrje, ka pasur ankesa të disa universiteteve të Kosovës dhe të disa organizatave joqeveritare për të ndryshuar disa gjëra, që ne do t’i marrim parasysh, do t’i diskutojmë dhe do ta bëjmë ligjin më të mirë të mundshëm për arsimin e lartë. Në momentin kur të jetë i gatshëm ky ligj për t’u dërguar në Parlament, konsideroj që ne do t’ia arrijmë, e do të diskutoj me të gjithë, në mënyrë që të mos ketë problem në miratim në Kuvendin e Kosovës.

Radio Kosova: Si e shikoni arsimin e lartë në vend, kur tashmë dihet që është shoqëruar me shumë probleme? Si e vlerësoni hapjen e shtatë universiteteve publike në Kosovë brenda një kohe të shkurtër, çfarë do të bëni për fuqizimin e këtyre universiteteve, kur dihet që ende për to nuk ndahet buxhet i veçantë nga qeveria dhe, sipas Agjencisë së Akreditimit, kanë mungesë të madhe të stafit akademik?

Shyqiri Bytyqi: Kemi njohuri për problemet në universitete. Ne jemi duke analizuar që ta bëjmë më të mirën e mundshme për këto universitete. Jemi duke diskutuar me stafin tonë lidhur me çështjen e universiteteve publike, vërtet kanë probleme edhe buxhetore edhe të kuadrove. Do ta gjejmë një model shumë shpejt, që këto universitete të funksionojnë në mënyrën siç duhet. Ka modele në diskutim, që për momentin nuk po i bëj publike, sepse nuk kemi ardhur te finalja e kësaj. Megjithatë, mendojmë se në rast se është i pamundur funksionimi i këtyre universiteteve, ndoshta kemi mundësi që të bëjmë një ri-dizajnim të universiteteve publike, në mënyrë që këto të funksionojnë dhe ta luajnë rolin realisht që e kanë dhe të mos mbesin peng për të zhvilluar një arsim cilësor universitar.

Radio Kosova: Në zonat rurale të vendit ka ende fëmijë që nuk e vijojnë mësimin e obliguar, për shkak të mungesës së infrastrukturës rrugore dhe problemeve të tjera. Cilët do të jenë hapat për t’i rregulluar këto probleme?

Shyqiri Bytyqi: Jemi të vetëdijshëm për një situatë të tillë dhe është për të ardhur keq që flasim në vitin 2017 për situata të tilla, ku fëmijët për shkaqe të ndryshme të mos mund të arrijnë të shkojnë në shkollë. Është një gjë, që për të gjithë duhet të jetë një kritikë e madhe. Besoj se kjo qeveri e ka parasysh këtë situatë dhe do të marrë masa të shpejta për të realizuar një gjë të tillë, që asnjë fëmijë të mos mbetet pa marrë arsimimin e duhur. Ne jemi shumë të vendosur që kjo gjë të realizohet. Do të bëjmë presion në qeveri, në pjesën e ministrive që nuk na takon neve, që të rregullohet infrastruktura rrugore apo gjëra të tjera. Mirëpo, ne si Ministri jemi të vendosur që të bëjmë një analizë të përgjithshme të mungesës së shkollave nëpër Kosovë. Stafi im ka ftuar në takim drejtoritë komunale të arsimit, ku kemi diskutuar pikërisht për këtë çështje dhe kemi kërkuar që të na vijnë informacione të sakta për mungesën e godinave shkollore në të gjithë territorin e Kosovës. Ne kemi vendosur që deri në fund të vitit të nxjerrim një përllogaritje të kostos se sa mund t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, që të kemi një infrastrukturë të mjaftueshme për një shkollim të mirëfilltë dhe cilësor në vendin tonë. Jemi të vetëdijshëm që kjo kosto do të dalë e madhe, mirëpo, ne do ta kemi në tavolinë një projekt se sa na duhet për të realizuar një gjë të tillë.

Radio Kosova: A do të vazhdoni të shpërndani librat falas për arsimin parauniversitar, kur dihet që Kuvendi i Kosovës disa herë ka pasur kritika për procedurat e tenderimit dhe të botimit të librave që janë dhënë falas. A do ta shqyrtoni këtë çështje?

Shyqiri Bytyqi: Për momentin është një çështje, që ndoshta nuk është prioritet për të diskutuar se si do t’i qasemi shpërndarjes së librave. Për neve është shumë me rëndësi që të kemi libra të mirëfilltë për nxënësit tanë. Kemi frikën që librat aktualë ndoshta nuk janë në nivelin e duhur të standardeve që kërkohen dhe në përputhshmëri me kurrikulat që janë në zbatim. Pra, hapi i parë i joni është që t’i rishikojmë të gjitha këto libra dhe në rast se këto nuk i plotësojnë kushtet që fëmijët tanë nuk e marrin edukimin e duhur dhe që kanë nevojë, atëherë do të marrim hapat që t’i ndryshojmë. Pastaj, modaliteti për të shpërndarë librat do të jetë ndoshta në diskutimin e ardhshëm, që ne do të gjejmë mënyrën më të lehtë për shpërndarjen e librave te fëmijët tanë.

Radio Kosova: Z. Ministër, është dashur të shpallet një konkurs për botimin e teksteve të reja, që t’i përshtatet kurrikulës së re dhe nuk është shpallur ende, në mënyrë që ato libra të jenë të gatshme për vitin e ardhshëm?

Shyqiri Bytyqi: Kemi informatën, por jemi në diskutim e sipër se cila do të jetë forma e shpalljes së konkursit, se çfarë librash ne do të kërkojmë, çfarë tekstesh do të kërkojmë. Nuk jemi akoma të gatshëm që të shpallim konkurs dhe t’i botojmë po të njëjtat libra që kemi pasur deri tani. Pra, qëllimi ynë është që paraprakisht të gjejmë modelin e saktë i cili na duhet për arsimin parauniversitar. Pastaj, procedurat ligjore dhe ato të konkurseve janë çështje teknike, që ne mund t’i përshpejtojmë dhe mund t’i realizojmë.

                                                        

 

 

 

Autor:     Intervistoi: Albana Karaj


MË SHUME NGA Intervista