Libër që lëkund rrënjët e historiografisë së gjithë botës

Libër që lëkund rrënjët e historiografisë së gjithë botës

“Pellazgët, ilirët, shqiptarët: historiografia e lashtësisë dhe e vazhdimësisë së një populli pro selenë”, është libri më i ri i profesor Eqrem Zenelajt, i cili ka dalë nga shtypi para pak ditësh.

Me këtë libër të ri, me përplot dokumente të marra nga arkivat e vendeve të huaja, profesor Zenelaj lëkund rrënjët e literaturës së gjithë botës, veçanërisht asaj greke, për prejardhjen e botës dhe formimin e saj, edhe të popujve dhe për fillet e shqiptarëve të sotëm.

“Pellazgët, ilirët dhe shqiptarët...” është një libër i veçantë shkencor, arkivor, historik, dokumentar dhe juridik. Është libër që ka munguar shumë dhe që sa kohë ka qenë i domosdoshëm për historinë e kombit shqiptar dhe për trojet etnike shqiptare, sepse zbardhë edhe më tutje historinë e vërtetë të popullit shqiptaro-iliro-pellazg.

Për ta parë dritën e botimit ky libër, profesor Zenelaj ka dhënë mund të madh. Ka vizituar shumë arkiva dhe nga to ka marrë dokumente të ndryshme dhe të vjetra, të cilat i kanë kushtuar shumë financiarisht. Për hulumtime arkivore, mbledhje të materialeve dhe kompletimin e tërë materialeve deri në daljen në dritë të këtij libri i janë dashur rreth dy dekada jetë me radhë duke hulumtuar nëpër 20 arkivat më të njohura dhe më të vjetra të Evropës.

Për t’i dhënë një kredibilitet historiografik, paanshmëri dhe besueshmëri shkencore këtij libri, si dhe për të qenë autor i përgjegjshëm përpara lexuesit shqiptar dhe atij të huaj, në kohën e tashme dhe kohën e brezave që do të vijnë, është bazuar kryesisht në libra, burime, materiale, publikime, arkiva, fakte dhe dokumente të shumta të autorëve dhe vendeve të huaja.

Në këto hulumtime arkivore kishte fatin dhe nderin të bashkëpunonte e të këshillohej me autorë të njohur, këshilltarë shkencorë e profesionalë të fushave të caktuara shkencore të vendeve të huaja jo vetëm për gjetjen e materialeve, ose për marrjen e tyre në lexim apo për studim, por edhe për interpretimin e tyre dhe deshifrimin e shumë të panjohurave që haste qoftë në shkrime, qoftë në artefakte apo toponime të vjetra të lashtësisë iliro-pellazge.

Përveçse është bazuar në burime të shkruara dhe të pashkruara historike, është bazuar edhe në burime të shkencave ndihmëse të historisë si nga gjenealogjia, etnologjia, linguistika, mitologjia, kozmogonia, eposi popullor, toponimet e vjetra, oponimet, heraldika, shkrimet e vjetra, poemat e vjetra si dhe në artefakte të ndryshme të zbuluara në trojet shqiptare.

Gjatë punës kërkimore hulumtuese dhe shkencore metodologjike për hartimin dhe kompletimin e këtij libri ka përdorur metoda të shumta shkencore-historike, si: metodën historike, analitike, statistikore, përshkruese, interpretuese, në veçanti metodën krahasuese.

Ky libër, i cili do të promovohet në fillim të muajit tjetër në Prishtinë, gjendet në librarinë “Artini” dhe “Buzuku”. (B. Armagedoni)