Ballata: Duhen më shumë shkolla publike të muzikës në Kosovë

Ballata: Duhen më shumë shkolla publike të muzikës në Kosovë

Duhen edhe më shumë shkolla publike të muzikës në Kosovë. Kështu ka thënë akademiku Zeqirja Ballata në një intervistë për Radio Kosovën në Ditën ndërkombëtare të muzikës klasike.

Radio Kosova: Profesor, si e vlerësoni muzikën klasike në Kosovë?

Zeqirja Ballata: Krijimtaria muzikore shqiptare në Kosovë, por edhe gjithëkombëtare, sidomos pas themelimit të shtetit shqiptar, por edhe në pjesë të tjera që kanë ngelur jashtë shtetit  amë, ka pasur një zhvillim të dukshëm, krahasuar me qindra vjet nën pushtimin otoman. Tek shqiptarët ka një ngritje dhe një shumëzim kompozitorësh, institucionesh muzikore, që mund të krahasohen edhe me vendet tjera. Kështu është edhe në Kosovë, përafërsisht. Natyrisht, me kushte më të vështira, por që nga vitet, sidomos që nga vitet 70-të, 80-të, 90-të e këndej. I përmenda vitet 70-të, sepse atëherë ishte kohë kur bëheshin përpjekje për një barazi, për një zhvillim të artit dhe arteve në përgjithësi, dhe themelimi i institucioneve, siç është universiteti që prej atëherë ka pasur një rol shumë rëndësi, siç e luan edhe tani,  edhe pse me pengesa. Më 1974 u bë Kushtetuta e Kosovës, e cila e ndryshoi esencailisht realitetin në Kosovë . Ky ishte edhe një hov i mëtejshëm dhe ka vazhduar në vitet 80-të me shumë aktivitete nga më të ndryshmet, në vitet 90-të dhe më tej. Tani jemi në një situatë shumë të volitshme, ndonëse ka edhe pengesa të mëtejshme, siç dihen, por që duhet vazhduar. Në qoftë se ndalemi pak më shumë në Kosovë, këtu janë themeluar një varg institucionesh muzikore. Më parë ishte vetëm shkolla e lartë pedagogjike dhe dy shkolla të mesme. Pastaj më 1975 shkolla e lartë pedagogjike u ngrit në fakultet të Artit.  Disa vite më parë ishte themeluar edhe dega e artit figurativ dhe në ’75 e artit muzikor. Më 1972 ishte themeluar Shoqata e Kompozitorëve në prill të vitit dhe në vitet 90-të ne kishim 42 anëtarë të shoqatës së kompozitorëve. Më vonë ka pasur një ngecje në kuptimin e kthyerjes së tyre në Kosovë.

Radio Kosova: Profesor, ju bëtë një kronologji të zhvillimeve të asaj kohe për këtë fushë të muzikës. Por nëse bëjmë krahasimin në kohë, a mund të thuhet se ka mbetur mbrapa zhvillimi i muzikës klasike në Kosovë, sepse duket se muzika klasike është më pak e shprehur në shoqërinë tonë, apo duhet të jetë muzikë e vetëm grupeve të vogla?!

Zeqirja Ballata: Po, ashtu është. Siç dihet edhe në artet e tjera, si të themi më vështirë të kapshme për shtresat e gjëra, për publikun e gjerë. Megjithatë, në Kosovë janë bërë hapa të mëdhenj, ashtu si tek gjithë shqiptarët. Por, ka nevojë këto institucione të forcohen me kuadro të afta, të përgatitur mirë, të shkollohen edhe jashtë, të specializohen, të informohen me më shumë dituri në fakultete në Evropë e më gjerë.

Radio Kosova:  Jeni të kënaqur me gjeneratat që përcjellin këto studime?

Zeqirja Ballata: Në qoftë se marrim, kohën kur unë kam filluar punën, fillimisht në 1972, e pastaj 1975 kemi pasur studentë shumë të mirë, madje edhe në drejtime artistike, siç janë disa drejtime për kompozitorë, pianistë, instrumentistë të tjerë, frymorë, ose edhe dirigjentë e kështu me radhë. Kanë dalë një varg kolegësh që tashmë janë në fakultete. Kështu që janë zgjeruar mundësitë. Krahas kësaj, është edhe forcimi dhe zgjerimi i shkollave të mesme, ku përgatiten nxënësit dhe gjithnjë është numri më i madh dhe prej aty del përzgjedhja më e mirë.

Radio Kosova: Profesor, meqë përmendët nxënës të shkollave të mesme, në cilën periudhë të rritës,  fëmija mund të mësojë të dëgjojë muzikë klasike?

Zeqirja Ballata: Gjithsesi. Tani ka dy burime do të thosha. Njeri burim është siç është gjithkund edhe ne çdo vend edhe tek çdo njeri që fëmijëri mund të shprehë ndonjë anim për ndonjë drejtim,  pra ky është një burim ku mund të hetohet që nga fëmijëria që ka një prirje.  Natyrisht ka dhe raste kur kanë një dëshirë , por nuk është gjithnjë realizimi i asaj dëshire. Dëshira është një, por ajo dhënia e natyrës është përsëri diçka tjetër. Ky është një element, por, në qoftë se ky element përputhet dhe bashkohet dhe me elementin e shkollimit, që në shkollën e ulët të muzikës, ajo është zakonisht një ndihmesë. Pastaj përmes ushtrimeve, siç dihet nga disa lëndë dhe sidomos Solfegjo, e zhvillon veshin e njeriut. Aty pastaj që në vitet e para, natyrisht jo menjëherë ne ato vitet e para me shume kujdes se arsimtari mund ta hetojë,  por ata që kanë një prirje por edhe ata që kanë gjasa të kenë prirje edhe për t’u zhvilluar.

Radio Kosova: Profesor,  ideja është që të shkollohen gjenerata, qoftë që të jenë publik i muzikës së klasike, siç ndodh në vende tjera të botës?!

Zeqirja Ballata: Natyrisht. Dua të them se populli shqiptar ka një frymë të talentuar muzikore. Me vetë faktin se në qoftë se nisemi nga shekulli i kaluar dhe shumë të kaluar,  por gjithnjë është kënduar me çfarëdo instrumenti.

Radio Kosova: Kjo fushë e muzikës përfaqëson edhe një qytetërim të njerëzve të atij vendi, apo jo?!

Zeqirja Ballata: Po si, dhe ajo formë e këndimit,  për me tepër ka qenë dhe është ajo që ishte burimisht në popull, ka lënë përshtypje dhe te studiuesit e huaj, të cilët i kanë incizuar tek ne. Në shekullin e IX sidomos,  ka pasur raste edhe në shekullin e VIII, kur kanë bërë vizita njerëz të huaj në qendra të ndryshme ku kanë kënduar edhe shqiptarët.

Radio Kosova: Janë shumë faktorë edhe zhvillime politike, luftëra, etj. që kanë penguar edhe zhvillimin e muzikës. Çfarë duhet të bëjnë institucionet tona, për shembull të ketë më shumë shkolla publike të muzikës?

Zeqirja Ballata: Po, ashtu është saktësisht. Kjo teme është shumë me rëndësi. Për shkak të shumë rrethanave në decenien e fundit ka pasur shumë pengesa. Por do të duhej që institucionet e kulturës në këtë rast edhe të muzikës të jenë sa me të forcuara, të pavarura, qofshin në shkolla të ulëta të muzikës, shkolla të mesme po edhe në fakultete. Duhet pasur parasysh, se nuk është me rendësi vetëm shumimi i fakulteteve ose shumimi i shkollave të mesme.  Me se pari duhet te shumohen shkollat fillore, sepse përpara shumë përpara në vendet e zhvilluara, iu thoshin shkolla të mesme sepse ishin periudha të tjera. Ende nuk kishte shkolla të ulëta të muzikës, por prej kur janë bërë shkollat e ulëta të muzikës është kthyer baza në shkolla të ulëta të muzikës. Aty  fillimisht dhe aty duhet të ketë parasysh që mos të përcillet kot ne vitet të mëtejme ose në vazhdim të shkollimit. Gjithashtu desha te them në ketë drejtim ta zëmë, ta përmend një shembull në Slloveni, nuk ka tri apo me tepër fakultete të muzikës, ka dy. Për më tepër, njeri fakultet nuk është I plotë. Pra qëllimisht është në Maribor. Maribori është një krahinë e madhe në Slloveni. Ka universitetin. Edhe në Lubjanë janë degë të artit muzikor por jo instrumental. Pra në Lubjanë përcillet dhe planifikohet saktësisht numri i kuadrove në vendet e punës dhe jo kuadrot pastaj të shkojnë jashtë vendit apo të mbesin pa punë.Kjo duhet pasur parasysh. Pra nuk do të thotë vetëm numri të jetë i madh por, të planifikohen pastaj edhe vendet e punës.

Radio Kosova: Po mund të jetë publik I mirë ai që shkollohet në shkolla të muzikës, edhe në qoftë se nuk del mjeshtër nga ajo?

Zeqirja Ballata: Po, sigurisht. Mund të jetë një adhurues i mirë i muzikës dhe ajo ndihmon siç dihet sidomos tek muzika edhe shpirtërisht dhe të mos pranojë antivlerë.

Radio Kosova: Ju jeni autor i shumë veprave dhe desha t’ju pyes, si e përkufizoni muzikën klasike?

Zeqirja Ballata: Muzika përgjithësisht është pjesë e njeriut dhe muzika është pjesë e afërt e edhe e shqiptarëve. Në këtë kuadër, edhe kënga popullore, vallëzimi popullor, është shumë interesant. Mendoj tek të gjithë shqiptarët në veri dhe jug edhe në pjesë tjera shqiptare. Në këto vise është luajtur në instrumente të ndryshme, kanë kënduar shumë herët këngë, për shembull, këngët kreshnike. Ato janë shumë të vjetra , katër apo pesë shekuj më parë. Prandaj them se muzika është pjesë e përditshme e njeriut tonë. Kështu edhe muzika artistike, sepse varësisht edhe prej shekujve kur është krijuar është gjithnjë pak më e koklavitur të them më thjeshtë. Prandaj kërkohet një përkufizim shumë i madh, më I gjerë, dhe për këtë arsye, muzika klasike nuk është e kapshme aq lehtë ashtu siç është edhe poezia…Muzika madje i ka mundësitë për arsye se kumbon, po qe se dëgjohet njëherë dy herë tri herë, më të afërt e ka dëgjuesi.

Radio Kosova: Mund t’i përmendi dy, tri vepra tuaja që i keni më për zemër, që i bisedoni më shpesh më miq, për shembull?

Zeqirja Ballata: Po ka shumë.  Janë disa kur I kam kryer studimet gjatë viteve 60-të, pastaj gjatë viteve 70-të. Është koncerti për piano që e kam luajtur në të gjitha qendrat, ndonëse unë nuk kam diplomuar në piano. Por kam qenë aktiv dhe kam pasur fatin të punoja me një pedagoge nga Vojvodina, e cila kishte ardhur në Prizren atëherë si profesoreshë. Ajo kishte studiuar në Salsburg që sot është një ndër qendrat më të mëdha evropiane dhe më të forta ku shkojnë instrumentistë për të studiuar. Ajo ishte një nxitje dhe pastaj kam ushtruar mjaft. Pra është solo de konser pastaj dhe ato që i kam bërë në fund të studimeve edhe pas studimeve,është edhe simfonia 82, 83 dhe i kushtohet përvjetorit të shtetit shqiptar… janë edhe disa vepra të tjera, e fundit ta zëmë është Gjëma, e cila ju kushtohet të rënëve. Pastaj është Bas Prafondo që i thonë italianet me bas shumë të ulët dhe Soprano dhe dy piano. Kjo është ekzekutuar në disa vende edhe në Kosovë edhe në Slloveni edhe atje është kompozua bile pastaj janë disa këngë gjithashtu me tekste shume te mira.

Radio Kosova: Keni në duar aktualisht diçka?

Zeqirja Ballata: Po janë  disa që për shkak të formacioneve janë copëza, mund të ndërpritet njëra me tjetrën, kështu që mund të ndodh që ajo që ka filluar e para të dalë e fundit.

Radio Kosova: Profesor, dua ta mbyll këtë intervistë me një porosi për mënyrën se si familjet mund të orientojnë të rinjtë, që të mësojnë muzikë me vlerë?

Zeqirja Ballata: Po, qëndrimi në shkollë të ulët duhet të jetë i rregullt,  duhet ushtrojnë në shtëpi , qëndrimi në shkolla të përgjithshme, edhe me tej të kenë kontakte, të dëgjojnë muzikë, të orientohen kah muzika edhe e mirëfilltë popullore edhe e lehtë, ndonëse ka një karakter tjetër të moshës. Por edhe muzikë serioze, sepse kemi muzikë serioze që janë veprat ato me të lehtat dhe deri te më të komplikuarat, më të ndërthururat më të ndërlikuarat  me shumë elemente. Kështu që ka mundësi që me një radhitje, me një përkujdesje të prindërve  mundet fëmija ta mësoj veshin dhe zhvillohet jo rastësisht.

Intervistoi: Hyrë Tejeci Murati


MË SHUME NGA Intervista