Investimet e Huaja arritën vlerën në 139.2 milionë euro

Investimet e Huaja arritën vlerën në 139.2 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë arritën vlerën prej 139.2 milionë euro deri në qershor 2017, që paraqet një rritje prej 64.2 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me rritje u karakterizua kapitali dhe fondi i investimeve në aksione ndërsa investimet në instrumente të borxhit shënuan rënie”, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.

Sipas BQK-së, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 85.0 përqind të gjithsej IHD-ve, arriti vlerën prej 118.3 milionë euro dhe shënoi rritje prej 88.3 përqind. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit arritën vlerën prej 20.9 milionë euro, një rënie prej 4.8 përqind.

“Rritje më e lartë e IHD-ve u shënua në sektorin e shërbimeve financiare dhe në ndërtimtari (32.5 përkatësisht 13.9 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), përderisa sektori i tregtisë u karakterizuan me rënie vjetore prej 1.0 përqind’, thuhet në raportin e BQK-së, për Vlerësimin Tremujor të Ekonomisë, raporton RTKlive.