Ministri Ismaili takon mamitë, u premton realizim të kërkesave

Ministri Ismaili takon mamitë, u premton realizim të kërkesave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, priti në takim Drejtoren Ekzekutive të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogovën dhe Drejtoren Ekzekutive të Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezin.

Rogova dhe Elezi shpalosën para Ministrit Ismaili shqetësimet e ngritura në mbledhjen e fundit të Lobit të Grave për Barazi Gjinore dhe Kuvendit të Anëtareve të RrGK-së, përfshirë: 1. Mbyllja e materniteteve nëpër Komuna dhe ndikimi negativ në qasjen e grave në kujdes shëndetësor; 2. Rëndësia e mamisë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në maternitete dhe përcaktimi i përshkrimit të punës së mamisë; dhe 3. Afërsia e komunitetit me ofruesit e shërbimeve shëndetësorë përmes decentralizimit.

Ministri Ismaili shprehu gatishmëri në punën për përmbushjen e këtyre kërkesave. Ai premtoi angazhim maksimal në mënyrë që gjithë qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet shërbim cilësor shëndetësor.

Takimi u përmbyll me kërkesën e Ministrit Ismaili për një takim të rradhës më një grup më të madh të grave që punojnë në mbrojtjen, promovimin dhe përkrahjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë, me theks të veçantë në çështjet që prekin qasjen e grave dhe vajzave në sistem shëndetësor.