U arrestua si trafikant gomonesh, dyshohet edhe për 1.3 tonë hashash

U arrestua si trafikant gomonesh, dyshohet edhe për 1.3 tonë hashash

Një vlonjat i arrestuar në muajin gusht si i dyshuar si trafikant gomonesh, rezulton i përfshirë edhe në trafikun e ngelur në tentativë të 1.3 tonëve hashash, një ngarkesë kjo që u bllokua në Kavajë në muajin korrik.

Shenjat e gishtave të konstatuar në skafin që do të transportonte 1.3 ton hashash zbuluan se Nertil Shehu mund të ketë qënë në rolin e skafistit dhe se ia ka dalë mbanë ti shpëtonte policisë për një muaj.

Nertil Shehu doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda ku dhe u njoh me dyshimet e prokurorisë, ndërkohë që më herët si skafist i të njëjtit rrjet është lënë nën arrest me burg edhe Skerdi Sina.

Ngarkesa e drogës u zbulua nga një postbllok policie në Kavajë ndërkohë që ranë në pranga edhe transportuesit si dhe u bllokuan dy automjete.

Mes të arrestuarve ishin dhe Aristotel Kasaj dhe Arvis Muça, të cilët kishin shitur makinën tek një i kërkuar që nuk pranonte të përpilonte aktin e shitjes.

Arvis Muça u lirua, ndërkohë që të njëjtën gjë kërkon dhe Kasaj, pasi sipas tij rezulton që personi blerës i tretë i makinës të jetë gjobitur për mbishpejtësi nga policia një ditë para se të bllokohej droga.

“Ky është një viktimë, peshku i madh është jashtë”, ka thënë avokati Edmond Petraj.

Aktualisht për këtë çështje janë në kërkim edhe dy persona të tjerë që dyshohen si skafistë të grupit.

/ Top Channel