TVSH duhet, por me hapa të matur

TVSH duhet, por me hapa të matur

Aplikimi dhe përfshirja e bisnesit të vogël në rregjimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar sipas ekspertëve kontabël është një domosdoshmëri. Në një intervistë për RTSH eksperti financiar Bujar Bendo shprehet përse duhet një përfshirje e tillë.

 “Është e domosdoshme të realizohet për arsye se kemi një shkëputje të hallkë së TVSH dhe humbjes së kontrollit të saj dhe skema e TVSH e ndërtuar me përjashtime dhe me pragje e ka bërë që të kemi një humbje të madhe të TVSH në konsum” shpjegon zoti Bendo.
Por sipas tij për këtë hap që pritet të hidhet as administrata e as biznesi nuk janë gati. “Do të ketë kosto të dyanshme. Administrata duhet të ketë staf dhe përgatitje me programe e burime njerëzore, ndërsa për biznesin duhen paisje, kontabilizim” thotë eksperti Bendo.
I pyetur nëse do të sillte edhe falimentime për bisnesin e vogël aplikimi i TVSH, eksperti kontabël theksoi se kjo ka gjasa të ndodhë. “Falimentim do të ketë se janë shumë biznese që rrinë për arsye se kanë prag përjashtues të tatimit mbi të ardhurat, pra nuk paguajnë tatim dhe nuk janë regjistruar në TVSH e cila ka rregulla të tjera. Në momentin që futesh, për një vit nuk del dot jashtë. Dhe TVSH-në e shohin frikshëm gjithë bizneset e vogla” tha eksperti financiar Bujar Bendo.