Zeqirija Ibrahimi: I dënoj sulmet ndaj privatësisë sime

Zeqirija Ibrahimi: I dënoj sulmet ndaj privatësisë sime

Kandidati i Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit, dënon siç thotë ai sulmet e njëpasnjëshme ndaj privatësisë së tij, duke u përpjekur që t’ia thyejnë fjalëkalimet e e-mailit dhe Facebookut.

“Tani më ka disa ditë që vazhdojnë nga qyqarët e shefave të kandidatit të LSDM-BDI-së për komunën Çair, të cilët në mënyrë më tinëzarë, të ulët dhe me sulme nga më çnjerëzoret mundohen që e-mailin dhe facebook-un tim personal, ta mbajmë nën kontroll duke shkelur çdo normë ligjore dhe juridike. Këto sulme, që herë vijnë nga kandidati në fjalë e herë edhe nga shefat e tij, flet për panikun dhe frikën që i kapluar ata, të cilët e ndjejnë humbjen e zgjedhjeve në Çair më 15 tetor dhe përgjegjësinë që duhet të japin për veprat e tyre denigruese”, thotë Ibrahimi.

Ibrahimi thotë se të gjitha rastet dhe cenimet ndaj privatësisë së tij – do t’i paraqit në organet kompetente dhe sektorin pranë MPB-së, më saktësisht në “Sektorin për kriminalitet kompjuterik dhe forenzikë digjitale”.

“Me këtë rast kërkoj nga gjitha organet kompetente, që sa më parë të shqyrtojnë rastin dhe kushdo qofshin autorët e këtyre sulmeve të dënohen sa më parë. Unë pres që drejtuesit e shtetit, më saktë pushteti aktual, që e mban veten “reformator” ta dëshmojë veten se sa është reformator, ndërsa i bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni që ta evidentojë këtë rast dhe ta ketë parasysh kur këta njerëz të paskrupullt u vardisen nëpër zyrat e tyre. Këtu nuk është në pyetje personi Zeqirija Ibrahimi, madje as lëvizja BESA, por kështu po rrezikohet privatësia e qytetarëve dhe po standardizohet shantazhi”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, disa portale kanë publikuar disa fotografi duke pretenduar se janë e-maila të marra nga e-maili i Ibrahimit.