Gërmimet në Suhodoll, gjendet një trup dhe disa pjesë trupore

Gërmimet në Suhodoll, gjendet një trup dhe disa pjesë trupore

Gjatë gërmimeve që janë zhvilluar sot në fshatin Suhodoll, në veri të Mitrovicës, në kërkim të mbetjeve mortore të të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë, është gjetur një trup dhe disa pjesë trupore.

Kështu deklaroi për KosovaPress kryetari i Shoqatës të të pagjeturve në Mitrovicë, Bajram Çerkini.

“Gjatë gërmimeve të sotme në Suhodoll është gjetur një trup komplet bashkë me rroba, si dhe disa pjesë trupore. Gërmimet kanë përfunduar për sot, ndërsa do të vazhdohet edhe të hënën deri në përfundim të vlerësimit në tërësi të kësaj zone të dyshimtë”, ka thënë Çerkini.

Gërmimet, të cilat filluan të martën në këtë lokacion, kanë gjetur pjesë trupore, por nuk dihet nëse janë pjesë të reja, apo i përkasin trupave që janë gjetur më herët.

Ndryshe, në këtë lokacion ishte gërmuar tre herë pas luftës dhe ishin gjetur 105 trupa, të cilat janë identifikuar dhe dorëzuar familjarëve.