Krasniqi: Më i lehtë bashkimi kombëtar se vizat nëpërmjet Shqipërisë

Krasniqi: Më i lehtë bashkimi kombëtar se vizat nëpërmjet Shqipërisë

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi thotë se Shqipëria nuk është rruga e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, liberalizimi përmendet në kohë fushatash dhe premtuesit e liberalizimit të vizave janë penguesit më të mëdhenj.

Në një intervistë për Gazetën Express, Krasniqi flet edhe për riaktualizimin e temës së  Gjykatës Speciale.

Thotë se Presidenti i vendit s’po e tregon të vërtetën kur po thotë se Kosova ka pasur premtime nëse e formon Specialen.

“...premtime të tilla nuk ka dhënë askush”, thotë Jakup Krasniqi, i cili ishte Kryetar Parlamenti në kohën kur u votua Gjykata Speciale.

Z. Krasniqi, po bëhen gati një dekadë që u premtuan vizat, derisa nuk dihet as deri kur do të zgjasë ky proces. Presidenti Thaçi zgjodhi që t’i kërkojë shtetit shqiptar për pasaporta që në këtë mënyrë të lëvizim pa viza. A është ky një pranim i realiteti se institucionet kanë dështuar ta nxjerr vendin nga izolimi?

Krasniqi: Po, zakonisht liberalizimi i vizave është premtuar gjatë fushatave zgjedhore dhe për ironi penguesit e liberalizimit ishin premtuesit më të mëdhenj të tyre. Shqipëria nuk është rruga e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Përderisa Kosova është shtet i pavarur e sovran. Ndoshta më lehtë është që të kërkohet bashkimi me Shqipërinë! Nuk ka asnjë dyshim, institucionet tona janë dështuesit kryesor, por izolimin e qytetarëve të Kosovës në zonën shengen duhet pa edhe si një pengesë politike që disa vende të BE-së ia bëjnë vendit tonë. Se për ndryshe izolimi i qytetarëve të Kosovës është krejt i pa kuptimtë, shikuar nga perspektiva jonë. Pasi pengesat kryesisht po ju bëhen njerëzve të ndershëm e me nevoja të ndryshme e ku dominojnë nevojat për shkollim. Se krimin e organizuar nuk po e pengojnë dot.

Po ju sa besoni se Qeveria aktuale do të arrijë ta zgjidh çështjen e vizave? 

Krasniqi: Qeveria vetëm sa e ka nisur punën, prandaj duhet të presim e të shohim. Premtime lehtas nuk duhet dhënë.

Çështja e Gjykatës Speciale u riaktualizua të hënën nga Presidenti Thaçi i cili drejtoi akuza të rënda dhe dyshime rreth drejtësisë që mund ta vendosë kjo gjykatë, pse mendoni se pikërisht tash kreu i shteti ka vendosur të shprehet i ashpër ndaj kësaj Gjykate, kur ai ka qenë këmbëngulës që e njëjta të votohet?

Krasniqi: Ishte koha kur duhej analizuar e diskutuar e marrë vendim për themelimin ose jo për Gjykatën Speciale, tani çdo diskutim rreth saj është si “kofini pas të vjelurave”! Pse Kryetari sillet kështu pasi për te (GJS) ka votuar Kuvendi i Kosovës, e dinë vetëm ai?! Gjithsesi, kjo sjellje e njeriut të parë në raportet e Kosovës me vendet e Botës demokratike nuk reflekton mirë.

Ju e keni qenë kundër krijimit të Speciales, e keni quajtur edhe turp për vendin dhe se kjo gjykatë po ngritët mbi bazën e gjuhës se gënjeshtrave të regjimit gjenicidal te Millosheviqit. Vazhdoni të mendoni njëjtë?

Krasniqi: Po, shumë herë jam deklaruar kundër kësaj Gjykata, para dhe pas miratimit të saj në Kuvend. Isha kundër se isha i bindur se Raporti i Dik Martit ishe i shkruar me burime serbe dhe i shtytur nga Serbia dhe miqtë e saj.  Madje kjo gjykatë është e drejtuar jo kundër krimeve të kryera në Kosovë, por vetëm për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të  UÇK-së, pra te një etnie dhe kjo është në kundërshtim me standardet e Drejtësisë Ndërkombëtare. Madje, ajo që është edhe më anakronike, si Raporti i Dick Martit, si Rezoluta e KE-së dhe Gjykata Speciale janë ngritur në saje të akuzës për trafikim të organeve, për të cilën gjë prokurori Wiliamson thotë se:”mungojnë dëshmitë për trafikim të organeve”. Pas këtij konstatimi është dashur të ndërpriten procedurat për themelimin e Gjykatës Speciale! Dhe ketë është dashur ta bëjë qeveria Thaçi 2.

A besoni që mund të ketë njëanshmëri nga ana e tyre, pasi Presidenti ditë më parë tha se Specialja po bashkëpunon shumë me Serbinë?

Krasniqi: Kjo është dashur të dihet me kohë. Kur themeli i saj, Raporti i Dick Martit ishte i shkruar me porosinë e diktatin e Beogradit. Ketë e ka dokumentuar më së miri politikologu ynë, Bardhyl Mahmuti në librin e tij “Mashtrimi i madh” të botuar kohë më parë.

Mendoni se ka pasur premtime nga bashkësia ndërkombëtare që Kosova do të anëtarësohet në mekanizma ndërkombëtarë dhe përfitime tjera si këmbim me formimin e Gjykatë  Speciale?

Krasniqi: Në takimet që kemi pasur në Kosovë me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtar në Kosovë, para se të formohej Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës, ku kam marr pjesë edhe unë, premtime të tilla nuk ka dhënë askush.

Ka kërkesa nga ndërkombëtarët, diplomatët që Kosova të jetë bashkëpunuese kur të ngrihen aktakzuat, a mendoni se do të ndodhë kështu?

Krasniqi: Tani Gjykata Speciale është e Kosovës ani pse gjendet jashtë saj. Drejtësisë nuk duhet t’i ikë askush, as brenda e as jashtë Kosovës. Ndonëse qëndrimi im për atë Gjykatë ka qenë krejt publik dhe asgjë nuk ka ndodhur ndërkohë që të ndryshoj mendim. Dëmi që po i bëhet Kosovës me ketë gjykatë do të jetë shumë i madh ,mbase edhe i pa riparueshëm. E kam fjalën për dëmin politik!