Reçeli i hurmës, delikatesa në tryezën shqiptare

Reçeli i hurmës, delikatesa në tryezën shqiptare

Sezoni i hurmave ka trokitur tashmë dhe është koha të provojmë edhe reçelin e tyre.

Nëse ka një shije që nuk mund t’i rezistosh dot, ai është reçeli i hurmës. Vërtet shumë pak i dëgjuar por një mrekulli me shije e pazakontë kur gatuhet në një recetë unike reçeli.

Hurmat mund të shijohen në formën e tyre të plotë, por kur bëhen reçel përballesh një ëmbëlsi befasuese krejt ndryshe nga të tjerat.

Reçeli i hurmës është ekzotik dhe i shijshëm saqë është kthyer në një traditë të mirëfilltë për amvisat shqiptare.

Hurma është një frut bujar dhe i pasur në vlera. Ajo përmban shumë antioksidantë, ndihmon në rënien në peshë, përmban shumë fibër, mban nën fre dëshirën e tepruar për të ëmbla, mbron sytë dhe sistemin tretës.

Ndiqni më poshtë recetën e sugjeruar për të përgatitur krejt lehtë në shtëpi reçelin kremoz të hurmave.

Si të përgatisim reçelin e hurmave 

Përbërësit

1.5 kilogramë hurma të tejpjekura
1 kilogramë sheqer
1 limon i ndarë në gjysmë

Ndiqni me përpikmëri udhëzimet

Qëroni hurmat. Merrni një tenxhere dhe përzieni sheqerin me tulin e hurmave. Shtrydhni lëngun e limonit dhe hidhini copat në tenxhere. Përziejini të gjitha mirë dhe më pas mbulojeni enën. Lërini hurmat të marinohen për disa orë.

Mbusheni një tenxhere tjetër të madhe me ujë dhe lëreni të ziejë. Pasi të ketë zjerë, futni në ujë kavanozët bosh, kapakët e tyre dhe garuzhdën. Lërini të sterilizohen për 15 minuta. Hiqini nga uji dhe vendosini kokëposhtë në një vend të pastër ose në një raft metalik.

Merrni tenxheren tjetër ku janë marinuar hurmat dhe vendosini në zjarr. Pasi masa të ketë marrë valë, lereni të ziejë për 15 minuta duke e përzierë vazhdimisht me një lugë druri. Kur reçeli të jetë bërë do të ngjitet në mënyrë të njëtrajtshme në lugë.

Reçeli do të trashet gjatë ftohjes. Nëse është bërë siç duhet, ai duhet të i trashë dhe kremoz. Hiqni prej tij copat e limonit.

Përdorni garuzhdën për të mbushur kavanozët dhe sigurohuni të lini një hapësirë bosh prej 5 milimetrash nga gryka e kavanozit. Pastroni grykën e kavanozit përpara se ta mbyllini fort me kapak.

Vendosini kavanozët në ujë dhe ziejeni për 10 minuta. Më pas hiqini nga uji dhe vendosini në banak të ftohen. Pasi t’i keni hequr nga uji, mund të dëgjoni një zhurmë që tregon se kavanozët janë të mbyllur hermetikisht.

Në rast se nuk dëgjoni një zhurmë atëherë futini kavanozët në frigorifer dhe konsumojeni reçelin brenda disa javësh./AgroWeb.org