Ahmeti: Do ta rimëkëmbim Prishtinën

Ahmeti: Do ta rimëkëmbim Prishtinën

“Kërkojmë vazhdimin e reformave, moskthimin në periudhën para vitit 2013, sepse të gjithë e dimë se ajo ka qenë kaos me ndërtime pa leje, klientelizëm, krejt një sistem tjetër i funksionimit”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili garon për mandatin e dytë në balotazhin që do të mbahet më 19 nëntor tha se “në Prishtinë ka një garë mes dy sistemeve – atë që ishte deri në vitin 2013 dhe këtë që e kemi parë në katër vitet e fundit”.

Zoti Ahmeti, me pak fjalë, nëse mund ta përmblidhni, pse një qytetar i Prishtinës duhet t‘u japë votën për mandatin e dytë?

Ahmeti: Për shkak të rimëkëmbjes së Prishtinës të cilën e kemi bërë. Në vitin 2013, ne kemi filluar një sistem të ri politik, kisha me thënë, në zgjedhje, llogaridhënie dhe transparencë. Kemi prezantuar 12 prioritete, për të cilat iu kemi kërkuar qytetarëve t’i mbajnë në kuletë dhe të shihemi në vitin 2017 për të na parë se çfarë kemi arritur dhe çka jo. Kemi ndalur gjërat e këqija, sot në Prishtinë nuk flitet për korrupsion, nuk flitet për nepotizëm, nuk flitet për ndërtime pa leje dhe kemi filluar gjërat e mira, duke restauruar shërbimet bazike, siç janë 24 orë ujë, duke blerë autobusë për herë të parë pas 30 viteve në Prishtinë, duke dyfishuar numrin e çerdheve, Qendrat e Mjekësisë Familjare funksionojnë në Prishtinë karshi të gjitha institucioneve të tjera shëndetësore, të cilat nuk funksionojnë dhe nuk menaxhohen nga subjekti jonë politik.

Pra, thjeshtë kërkojmë vazhdimin e reformave, moskthimin në periudhën para vitit 2013, sepse të gjithë e dimë se ajo ka qenë kaos me ndërtime pa leje, klientelizëm, krejt një sistem tjetër i funksionimit.

Prandaj unë këtë në Prishtinë e shoh si garë mes dy sistemeve – atë që e kemi pasur deri në vitin 2013 në Prishtinë dhe që e shohim gjithandej, dhe këtë që e kemi parë në katër vitet e fundit, një llogaridhënie, transparencë, një qeverisje më e diskutuar nga të gjitha, do të thotë është monitoruar çdo gjë. Dhe, sot ne diskutojmë për atë se çfarë ka mundur të bëhet më shumë, cilat kanë qenë prioritetet por jo për keqqeverisje.

Nëse do t’i përmblidhnit– cilat do të ishin top pesë prioritetet në qeverisjen tuaj të ardhshme në Prishtinë?

Ahmeti: Po ne i kemi ndarë në 10 fusha me prioritet, në 100 zotime, na u kanë rritë ambiciet tash për shkak se e kemi rezultatin e 22 tetorit, kur raporti i forcave ka ndryshuar në Kuvendin Komunal. Tash nuk ka më mundësi bllokuese nga ato subjekte të cilat na kanë penguar në mandatin e parë, dhe i kemi katër superprioritete po i quajmë ne. E para është pastrimi i mbeturinave. Pra, i kemi mbeturinat si prioritet, që fillon prej konceptit të mbledhjes, orarit të ri logjistik, mënyrës së re të pagesës e deri tek riciklimi i mbeturinave në katër vitet e ardhshme.

Superprioriteti numër dy, që ka të bëjë me mobilitetin apo lëvizshmërinë, pra me përfundimin e reformës në trafikun dhe transportin publik, parkingjet dhe rrjetin e shtigjeve të biçikletave si dhe rrjetin pedonal, pra të këmbësorëve, me ç‘rast do të zëvendësohet apo përmirësohet trafiku në Prishtinë, do të përdoren më shumë autobusë dhe do të ketë më shumë motivime për ecje e jo për përdorim të makinave. Dhe, tre, i kemi parqet dhe hapësirat sportive në çdo lagje, me nga 1 milion euro në vit, që tashmë i kemi ndarë për vitin 2018. Gjithsej katër parqe në vit. Ne synojmë që brenda këtij mandate të ndërtojmë 16 hapësira të tilla nëpër lagjet e qytetit që krijojnë një policentrizëm, që mos me pasur nevojë për të ardhur në shesh për një shëtitje, për të mos pasur nevojë për të shkuar në Gërmi për një basketboll, por që t’i kenë hapësirat rekreative në çdo lagje në mënyrë që edhe ajo e zvogëlon trafikun.

Ndërsa, e katërta ka të bëjë me mirëqenien sociale. Ne synojmë strehimin edhe të 250 familjeve që na kanë mbetur, që i përmbushin kushtet për strehim, dhe krijimin e një kuzhine popullore apo kuzhinë që siguron një mijë shujta të nxehta në ditë për ata që kanë më së shumti nevojë.

Kur jemi te zgjerimi i hapësirave edhe për lëvizje më të mirë. Si do të bëhet në rrugët, ndoshta jo brenda në qytet, por edhe në periferi. A ka hapësira?

Ahmeti: Ka hapësira, do të thotë koncepti i planit të mobilitetit që është bërë bashkë me ‘Mott Macdonald’, kompaninë e njohur angleze, ka qenë si pjesë e projektit me BERZH-in. Aty janë parapara disa gjëra. Së pari, do t’i kemi linjat e reja të transportit publik, shtatë kryesore dhe 13 ndihmëse, do të thotë 20 linja, që përfshijnë edhe lagje që nuk kanë qenë të përfshira, sikurse Kalabria dhe Lagja e Spitalit apo te Rruga e Bledit dhe Velania. E dyta ka të bëjë me parkingun e ri te Fakulteti i Filologjisë, që është nëntokësor deri në 909 parkime. Pastaj, në çdo lagje do t’i japim prioritet banorëve të lagjeve, ndërsa ata që vijnë jashtë lagjes do të kenë kufizim dy orësh të parkimit dhe do të paguhet çdo hapësirë publike. E deri te rrugët njëkahëshe që do të bëhen në qendër të qytetit, me ç’rast një korsi do të jetë e ndarë për autobusë, ndërsa do të kemi mundësi që edhe korsitë e tjera t’i shfrytëzojmë për parking publik, për parking në rrugë, por që do të jenë afatshkurtër, në mënyrë që të mos e kemi trafikun. Do të kuptojmë që diku mbi 30 për qind e trafikut në Prishtinë krijohet nga makinat që kërkojnë vendparkim.

Pra, ne synojmë që të kemi hapësira më shumë për vendparkime të shkurtra, e deri te propozimi i tyre i fundit që ka të bëjë me konceptin ‘Park and ride’, pesë vendparkime në hyrje të qytetit, në të cilat, ata që vijnë nga qytetet e tjera mund ta lënë makinën, dhe me biletë të transportit publik ta lënë makinën falas gjithë ditën në këto hyrje. Këto janë identifikuar, janë të dizajnuara të gjitha dhe thjesht në vitin 2018 do ta bëjmë implementimin e këtij programi.

Një problem tjetër në Komunën e Prishtinës mbetet mbipopullimi i shkollave. Ndërtimet vazhdojnë dhe me to vjen edhe shtimi i popullatës në Prishtinë. Kur do të ketë projekt për ndërtimin e shkollave.

Ahmeti: Në fakt, numrat nuk e tregojnë një rritje të nxënësve, në qoftë se i shikojmë numrat në çdo gjeneratë, e shohim se ka rënie të lehtë të numrit të nxënësve. Do të thotë, përderisa ka rritje të popullatës dhe familjeve që vijnë në kryeqytet, duhet ta kemi parasysh që ne po ashtu kemi pasur një ‘baby boom’ në vitin 1999, pas luftës, me ç’rast ne pjesën më të madhe të popullatës e kemi 15 deri 25-vjeç.

Problemin kryesor që ne e kemi me shkolla, ka të bëjë me disa shkolla të mbipopulluara, e që ka të bëjë me lagje të reja, të cilat në afërsi nuk kanë shkolla. Pra, ne e kemi të mbipopulluar (shkollat) “Ismajl Qemajli”, “Faik Konica”, “Hasan Prishtina”, “Dardania” dhe shkollën “Xhemajl Mustafa”.

Kjo për shkak sepse për shembull nuk kemi shkollë në Veternik, e që i dërgojnë fëmijët në këto shkolla, e që kemi shkolla që kanë pak nxënës. Por, ne në vitin 2018 kemi paraparë fillimin e ndërtimit të pesë shkollave, me ç’rast do të kompletohej kjo infrastrukturë: shkolla në Veternik, shkolla në Kalabri, shkolla në Sofali, në Mati 1 dhe në lagjen Arbëria.

Me këto pesë shkolla ne do të zgjidhnim problemin e mbipopullimit në disa shkolla të veçanta dhe nuk do të kishim në nevojë. Pra, e kemi nënshkruar me Bankën Botërore, ndërtimi i këtyre shkollave fillon në tetor të vitit 2018.

Cilat përfitimi i shihni nga Ligji për Prishtinën – sa është i nevojshëm një ligj i tillë, nëse miratohet në Kuvendin e Kosovës?

Ahmeti: Tashmë një draft ka kaluar në Kuvendin e Kosovës, e ka kaluar edhe komisioni dhe besoj se në seancën e radhës është në leximin e parë. Në kemi diskutuar gati tre vitet për këtë ligj, ky draft që e kemi sot është një kompromis sepse nuk i ka të gjitha gjërat që i kemi kërkuar ne, por nuk i ka as të gjitha gjëra që kanë dashur t’i heqin ata, po flas për Qeverinë dhe Ministrin e Pushteti Lokal. Është një ligj shumë i thjesht i ka katër gjëra kryesore, një është që e rritë buxhetin e Prishtinës për afërsisht gjatë milionë euro. E shton policin komunale apo drejtorin e policisë së Prishtinës në Policinë e Kosovës, që kanë mbetur ende të diskutohen detajet dhe ka rezistencë të jashtë zakonshme nga policia dhe ministria.Tre është spitali i qytetit që po ashtu është një temë që do të diskutohet shumë në mandatin e radhës. Dhe e katërta është krijimi i ndërmarrjeve publike pa pasur nevojë më marr leje prej Qeverisë e kjo është tepër e mirë.

Pra, ka aspektet pozitive, por më e mira është që na ndanë si kryeqytet prej komunave të tjera në disa aspekte e që ne mendojmë se është e domosdoshme. Ne sot trajtohemi njëjtë si Prishtina si Ranillukut, kompetencat e njëjta i kam unë si kryetar i komunës, veç se munden më pas më shumë për shkak të kompetencave të deleguar, të rezervuara vetëm për komunat me shumicë serbe. Pra, ne si kryeqytet kërkojmë që të ngitemi me kompetenca, sepse thjesht jemi një e katërtat e popullatës së Kosovës dhe jemi nikoqir të administratës të studentëve të universiteteve me dëshirë e bëjmë këtë punë, por duhet të njihemi si kryeqytet.


MË SHUME NGA Intervista