Policia italiane arreston trafikantët shqiptarë, kapen 2.4 ton drogë

Policia italiane arreston trafikantët shqiptarë, kapen 2.4 ton drogë

Më shumë se dy ton lëndë narkotike hashash dhe marijuanë janë sekuestruar nga policia provinciale në Ravenna të Italisë, operacion që çoi në arrestimin e tre shqiptarëve dhe një shtetasi italian.

Kapja e 2.4 tonëve drogë konsiderohet si një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në historinë e Ravennas.

Mediat lokale bëjnë me dije se shqiptarët e arrestuar janë të moshës, 27, 53 dhe 21 vjeç, ndërsa emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Të gjithë të arrestuar janë dërguar në burg në akuzën e transportit të drogës.

Hetimet janë zhvilluar mes të enjtes dhe të premtes nga policia, ndërsa një patrullë ka kapur rreth orës 04:30 minuta një furgon përgjatë rrugës “Romea Sud”, në zonën Savio në drejtim të Ravennas. Në bordin e mjetit kishte dy persona. 

Brenda furgonit të drejtuar nga shtetasi italian u gjetën 2.4 tonë marijuanë, 62 kilogramë hashash dhe 4 vajra hashashi.

Përplasja me armë 

Ndërkohë, policia po zhvillonte operacionin për arrestimin e personave të tjerë, pas dyshimeve ndaj dy makinave, një "Alfa 147" dhe një "Fiat Punto", në mes të ultësirës së lumenjve Savio dhe Beva.

Me kërkesën e dokumenteve u bë një përplasje, gjatë së cilës një nga individët nxori armën e zjarrit. Forcat e policisë arritën të neutralizojnë personin e armatosur. Nga ngjarja mbeti i plagosur lehtë në dorë një nga policët.

Pas përplasjes, dy personat ikën me njërën prej makinave, duke lënë në vend "Alfa 147".

Menjëherë filloi gjuetia e kërkimit të tyre, ku u angazhuan edhe karabinierët nga Cervia dhe Milano Marittima si dhe një helikopter.

Arratisja

Makina e përdorur nga të dy të arratisurit, një "Fiat Punto", u gjet menjëherë, jo shumë kilometra nga vendi ku është konsumuar episodi, në Lido di Classe, ndërsa të arratisurit kanë vijuar rrugën në këmbë.

Gjatë krehjes së zonës, në një lokal janë dalluar tre persona të dyshuar. Mediat italiane shkruajnë se policët i dalluan të dyshuarit, pasi veshjet e tyre ishin me baltë. Më pas, një prej shefave të policisë kishte konfirmuar se njëri nga të ndaluarit ishte pasagjeri i furgonit me kanabis, që u kap në mesnatë.

Policia tha se 26 vjeçarit italian iu gjetën disa shënime ku mbante emrat, shifrat dhe numërat e telefonit. Dyshohet se droga ishte shkarkuar gjatë natës dhe ishte ngarkuar në furgonin që u ndalua nga policia.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar origjinën e sasisë së madhe të narkotikëve. Paraprakisht dyshohet se droga ka mbërritur nga deti para se të ngarkohej në bordin e furgonit. /Ora News/