Në Kaçanik shënohet 14 Nëntori Dita botërore e diabetit

Në Kaçanik shënohet 14 Nëntori Dita botërore e diabetit

Mjekët e Kaçanikut në kuadër të ditës botërore të diabetit, kanë dalur në bulevardin “Ismajl Raka” për të qenë afër qytetarëve dhe për t’iu dhënë atyre më shumë informacione për sëmundjen e diabetit.

Në të njëjtën kohë qytetarët kanë mundësinë që të kontrollojnë tensionin e gjakut si dhe praninë e glukozës në gjak.

Ekipi i stafit mjekësor, do të pres vizitat dhe konsultat me qytetarë, për t’u dhënë atyre informacione për sëmundjen e diabetit dhe njëkohësisht të kryejnë kontrolle falas.

Për të parë nga afër punën e stafit mjekësor, ata i vizitoi edhe Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka, e cila falënderoi stafin mjekësor për punën e palodhshme që në vazhdimësi po kryen, ndërsa shtoi se sëmundja e diabetit mbetet një shqetësim global, dhe çdo vit ka rritje të numrit të të sëmurëve nga diabeti.

 Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerëson se diabeti po kthehet në pandemi globale dhe ka përllogarit se prek rreth 5 % të popullsisë së botës. Diabeti është një sëmundje kronike që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit-glukozës në gjak.

Shenjat e diabetit janë etje e shtuar dhe tharje e gojës, shtim oreksi por që shoqërohet me humbje peshe, dhimbje stomaku dhe lodhje më tepër se zakonisht, shikim i mjegulluar dhe mungesë e theksuar e përqendrimit, mpirje e duarve ose këmbëve etj.

Mjekët porosisin se shpesh herë shenjat e diabetit mungojnë dhe diabeti mund të shfaqet pa u vënë re për një kohë të gjatë pa simptoma, andaj duhet të bëhen kontrolle rutinë, një herë në vit nga secili individ.