Përfundoi debati i përgjithshëm rreth ligjit për gjuhët

Përfundoi debati i përgjithshëm rreth ligjit për gjuhët

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhjetë minuta pas fillimit të vazhdimit të pasdites të seancës së 15-të e përfundoi debatin e përgjithshëm rreth Propozim - ligjit për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë.

Seanca, siç paralajmëroi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, do të vazhdojë nesër pasdite kur pritet deputetët të votojnë për Propozim-ligjin, pas çfarë të zgjedhurit e popullit do të mund të parashtrojnë amendamente rreth tekstit.

Gjatë debatit të sotëm shumica qeveritare porositi se hyjmë me një fazë të ndërtimit të besimit mes komuniteteve. Duam sistem më të mirë, ligje më të mira, jetë më të mirë për të gjithë.

"Të dërgojmë porosi se Kuvendi do t'ua garantojë të gjitha të drejtave qytetarëve, pavarësisht nga cili etnikum vijnë dhe në cilën gjuhë flasin" porositën deputetët nga shumica qeveritare.

Opozita edhe në replikat e fundit para përfundimit të debatit sërish e tregoi qëndrimin se ligji është jo kushtetues, se nuk do të jetë i zbatueshëm dhe se do të rezultojë me frustrime shtesë te qytetarët.

Kuvendi pas përfundimit të debatit për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të parë e vazhdoi punën pas seancës së 12-të në të cilën në rend dite janë ligjet nga opozita dhe vendimi për konfirmimin e numrit të nënkryetarëve të Kuvendit.