“Ukraina duhet të krijojë një gjykatë antikorrupsion”

“Ukraina duhet të krijojë një gjykatë antikorrupsion”

Banka Botërore i kërkoi sot Ukrainës të përmbushte angazhimet e saj për krijimin e një gjykate speciale për të luftuar korrupsionin endemik duke theksuar se kjo do të mundësonte tërheqjen e investimeve të rëndësishme.

“Ne presim me padurim momentin kur kjo gjykatë do të krijohet”, deklaroi sot presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim në një konferencë shtypi me kryeministrin, Volodymyr Groisman në Kiev.

”Kur kjo të arrihet, investime shumë të mëdha do të realizohen në Ukrainë”, shtoi zyrtari, i cili do të takojë edhe presidentin Petro Porochenko, akuzuar nga kritikët për bllokimin e krijimit të kësaj strukture.

Korrupsioni i pranishëm në Ukrainë në të gjitha shkallët e shoqërisë përbën një frenim të madh për ardhjen e investimeve të huaja, për të cilat ajo ka shumë nevojë ndërkohë që ekonomia ka dalë nga disa vite krizë të përkeqësuar nga lufta në lindje.

I nxitur nga perëndimorët dhe militantët ukrainas, Poroshenko deklaroi në tetor se një gjykatë antikorrupsion do të krijohet që prej 2018, pas miratimit të ligjeve të nevojshme deri në fund të vitit.