Al Thani: Vendet që kanë bllokuar Katarin nuk duan zgjidhje

Al Thani: Vendet që kanë bllokuar Katarin nuk duan zgjidhje

Emiri i Katarit, Tamim Bin Hamad Al Thani, tha se është i gatshëm për një zgjidhje për krizën e Gjirit me dialog i cili do të jetë i ndërtuar mbi respekt ndaj sovranitetit të shtetit, duke shtuar se shtetet që kanë bllokuar Katarin nuk dëshirojnë zgjidhje.

"Ne themi se jemi të gatshëm për një zgjidhje me dialog të ndërtuar mbi respekt reciprok ndaj sovranitetit. Megjithatë, treguesit që vijnë nga shtetet që kanë vendosur bllokadë ndaj Katarit tregojnë se këto shtete nuk dëshirojnë zgjidhje", tha Al Thani në hapjen e sesionit të 46-të të Kuvendit Këshillimor të Katarit në Doha.

"Ne nuk frikohemi nga marrëdhëniet e prera me shtetet që kanë vendosur bllokadë. Vendi ynë është në gjendje të mirë edhe pa ta. Por, duhet të jemi të zgjuar, sepse nuk është në rregull të mendohet se ata mjaftohen vetëm me ndërprerjen e marrëdhënieve. Ata duan ta ndëshkojnë kolektivisht popullin e Katarit, duke vazhduar të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendit tonë", shtoi Al Thani.

Emiri i Katarit po ashtu theksoi se kriza e Gjirit nuk ka ndonjë fitues apo humbës, duke nënvizuar se dëmi ndaj Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit dhe interesave të vendeve të tij do të rritet gjithnjë e më shumë.

Ai vlerësoi se vendet që kanë vendosur embargo ndaj Katarit kanë synuar të ndikojnë në stabilitetin e vendit. "Ata na detyruan ta pranojmë varësinë, duke hequr dorë nga pavarësia jonë. Pastaj, kaluan në planin e dytë, dhe ende i vazhdojnë përpjekjet për ta dëmtuar ekonominë tonë", tha Al Thani.

"Bëjmë apel për mosrritjen e tensioneve, në mënyrë që popullatën e rajonit ta mbajmë larg rreziqeve", theksoi lideri i Katarit. Al Thani vuri në dukje se realiteti gjeografik dhe politik e bën të detyruar dialogun për tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes vete.

Ndryshe, kriza e Gjirit shpërtheu në qershor të këtij viti, kur Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ndërprenë lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin.

Katër shtetet e akuzojnë Katarin për "mbështetjen e grupeve terroriste", akuza këto që Doha zyrtare i ka mohuar, duke e cilësuar embargon si shkelje të sovranitetit të saj kombëtar.