Tanin: Objektivi përfundimtar mbetet paqja e qëndrueshme

Tanin: Objektivi përfundimtar mbetet paqja e qëndrueshme

Gjatë seancës së rregullt tremujore të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin ka prezantuar raportin tremujor, ku ka folur për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Tanin e ka vlerësuar si pozitive integrimin e 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve të shtetit nga komuniteti serb në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ndërsa lavdëroi palët për shtyrjen e këtij procesi përpara.

Tanin vlerësoi sot në Nju Jork se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit është ende sporadike, ndërsa pohoi se marrëdhëniet në mes Prishtinës dhe Beogradit kanë potencial zhvillimor. 

Sipas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Tanin theksoi se përfaqësuesit e Prishtinës marrin pjesë në të gjitha takimet e CEFTA-s dhe se pjesëmarrja e UNMIK-ut kufizohet nga dispozitat e statuteve ligjore.

“Kjo pjesëmarrje vazhdon deri në masën e kërkuar nga anëtarët e CEFTA-s, për të siguruar funksionimin e saj, që përkthehet pastaj në përkrahje të mundësive ekonomike përgjatë rajonit”, theksoi Tanin.

Ai kërkoi që urgjentisht të ofrohen mundësi ekonomike dhe punësim, si një nevojë e luftimit të korrupsionit dhe sigurimit të llogaridhënies publike në të gjitha nivelet, ndërsa nënvizoi si nevojë më prioritare luftimin e krimit të organizuar.

Tanin pohoi se objektivi përfundimtar mbetet “paqja e qëndrueshme”.