Qeveria vendos 50 gardistë për ruajtjen e anëtarëve të vettingut

Qeveria vendos 50 gardistë për ruajtjen e anëtarëve të vettingut

Tri institucionet e vetingut kanë zhvilluar dje seancën dëgjimore për të paraqitur kërkesat e tyre për buxhetin e vitit 2018.

Dje në Komision, titullarët e institucioneve të vetingut janë vënë në dijeni se qeveria ka miratuar një akt normativ në të cilin ka parashikuar një fond që tri institucionet të blejnë 30 makina, dhe të kenë në dispozicion 50 gardistë, të cilët do të bëjnë ruajtjen fizike të gjyqtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionarëve Publikë.

Por vendimi i qeverisë ka ngjallur reagimin e opozitës, që e ka quajtur këtë si tentativë për të spiunuar punën e anëtarëve të institucioneve të vetingut. Sipas Eduard Halimit, titullarët e institucioneve të pavarura kërkuan që t’i emëronin ata personat që do të merreshin me ruajtjen e tyre fizike, dhe me këtë proces nuk duhet të përzihej qeveria.

“U vumë sot në dijeni se e keni zgjidhur çështjen e buxhetin me një akt normativ. Në çfarë standardi jeni bazuar ju që të gjithë komisionerëve të vetingut u keni vënë nga një gardist në kokë për t’i ruajtur dhe për t’i spiunuar ditë e natë?! Në çfarë standardi europian jeni bazuar ju?”, tha dje Eduard Halimi. Por për Bashkim Finon, qeveria ka bërë shumë mirë, sepse shërbimin e ruajtjes e ofron Garda.

Nga ana tjetër, kryetarja e Kolegjit të Apelimit, Natasha Mulaj, tha dje se shumë shpejt do të kërkojë nga Kuvendi që t’i shtohen këshilltarët ekonomikë, pasi ata do të bëjnë verifikimin e pasurive dhe pronave të gjyqtarë dhe prokurorëve. Gjatë mbledhjes së djeshme, asnjë nga kërkesat e anëtarëve të komisioneve të vetingut nuk është miratuar, por është marrë kohë për të diskutuar me Ministrinë e Financave për të rakorduar për kërkesat e tyre.