Vetëm ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit i jep fund izolimit

Vetëm ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit i jep fund izolimit

Ish -Ministri për Integrim Europian Bekim Çollaku në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit pa humbur kohë është opsioni i vetëm për t’i dhënë fund izolimit dhe për të siguruar një mbështetje nga ana e BE-së. Çollaku thotë se kjo duhet të ndodhë në këtë moment kritik kur BE-ja është duke përgatitur strategjinë e re për zgjerim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këshilltari i Presidentit nuk fajëson vetëm BE-në për vonesat ndaj Kosovës, por edhe institucionet shtetërore të cilat sipas tij, kanë dështuar për përmbushur obligimet e tyre.

Ai shprehet pesimist se komisioni i ri shtetëror për shënimin e vijës kufitare do të mund të sjell fakte të reja dhe të ndihmoj për të zgjidhur këtë problem, i cili po e mban Kosovën të izoluar dhe kosovarët pa viza.

E pikërisht për vizat dhe Demarkacionin, Collaku kishte dhënë dorëheqje në vitin 2016, një veprim që nuk ndodh shpesh në skenën politike.

Z. Çollaku ju patët dhënë dorëheqje gjatë mandatit të kaluar qeveritar në lidhje me demarkacionin. Kjo çështje ende nuk po gjen zgjidhje?

Çollaku: Detyrën si ministër për integrim evropian në atë kohë e kisha pranuar me kënaqësi sepse kam qenë i bindur që bashkë me ekipin profesional të ministrisë, së paku do të arrinim të përmbushnim dy objektivat kryesore; nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim Asociimit (MSA) dhe liberalizimin e vizave. Objektivi i parë u realizua në tersi, ndërsa i dyti, nuk u realizua përkundër bindjes dhe premtimit tim publik, se edhe vendimi përfundimtar për liberalizim të vizave do të ndodhte brenda vitit 20016.

Premtimi im publik se vendimi përfundimtar për liberalizim të vizave do të merrej deri në fund të vitit 2016, ka qenë realist dhe i arritshëm duke marrë në konsideratë përmbushjen e 94 kritereve nga 95. Për më tepër, Kosova me 4 maj 2016 e mori rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave falë punës së palodhshme që është bërë për përmbushjen kritereve. Mbeti vetëm edhe një kriter i fundit cili atëherë varej nga ratifikimi i marrëveshjes nga parlamenti i Republikës së Kosovës, sepse qeveria e kishte nënshkruar dhe miratuar marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Mirëpo atëherë, mungoi vullneti politik për ratifikimin e kësaj marrëveshje nga parlamenti dhe mundësia për liberalizim të vizave u humb. Unë si ministër përgjegjës e humba betejën politike me deputetët e parlamentit, dhe si rrjedhojë logjike, mbeti dorëheqja për mua ndërsa izolimi për qytetarët. Mund ta merrni me mend, Ukraina dhe Gjeorgjia e morën rekomandimin për liberalizim të vizave në të njëjtën kohë me Kosovën. Qytetarët e këtyre dy shteteve sot lëvizin pa viza, kure kosovarët kanë mbetur të izoluar. Pra, izolimi i qytetarëve të Kosovës është pasoj e mungesës së vullnetit politik të partive politike parlamentare të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes.

Pra, ju dhatë dorëheqje vetëm për faktin që Parlamenti nuk e miratoi marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi?

Çollaku: Vendimi për dorëheqje ka qenë shumë i vështirë për mua por i pashmangshëm për shkak të parimeve të mia. Ekipi nga ministria bënte përpjekje që të më bindte që mos ta merrja një vendim të tillë duke shpresuar se në ndërkohë, do të rritej presioni publik dhe përgjegjësia tek deputetët për ratifikim e kësaj marrëveshje. Mirëpo unë, tashmë isha i bindur se asnjëra nga këto nuk do të ndodhte. Prandaj, unë nuk mund të vazhdoja të rrija në zyre si ministër duke gënjyer vetën dhe opinionin publik. Dorëheqja ime ishte një shërbim i fundit që unë e kisha obligim ta bëja ndaj mijëra qytetarëve të Kosovës të cilët me kanë besuar pa asnjë hezitim në përkushtimin tim për liberalizimin e vizave.

Kanë kaluar gati dy vite nga koha kur ju jeni larguar nga posti si ministër për Integrim Evropian. Liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur dhe Kosova nuk ka bërë ndonjë hap tjetër formal në agjendën evropiane. Si i komentoni ju këtë stagnim?

Çollaku: Në këtë proces, kemi dy palë të përfshira që përcaktojnë dinamikën. Jemi ne, pra pala kosovare dhe institucionet e BE-se. Për një kohë të gjatë, ne kemi thënë se BE-ja ka dështuar ta trajtoj Kosovën fer dhe në mënyrë të barabartë me shtetet tjera. Kjo është e saktë dhe arsyet dihen. Mirëpo, kjo qasje e BE-se nuk e arsyeton në asnjë mënyrë qasjen tonë shtetërore tepër jo serioze në relacion me përmbushjen e obligimeve tona shtetërore. Të supozojmë se BE-ja qëllimshëm ka kërkuar ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave. Të themi që ka qenë një “kurth” i menduar nga Komisioni Evropian. Por, pyetja shtrohet se çfarë kanë bërë deri më tani institucionet shtetërore për të përmbushur këtë kusht dhe për të dalë nga ky kurth i cili po mban të izoluar Kosovën dhe qytetarët e saj? Çfarë kemi bërë? Asgjë,.. saktësisht asgjë. Veprimet që kanë ndodhur deri më tani dhe ato që jemi duke i parë tani, vetëm janë duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Gjerat janë të qarta për ata që duan ti kuptojnë. liberalizimi i vizave ndodh kur të plotësohet kriteri i fundit i mbetur, pra ratifikimi i marrëveshjes dhe nuk varet nga proceset tjera siç është zbatimi i MSA-së apo Agjendës Evropiane të Reformave (ERA-s). Prandaj, pavarësisht sa e çmoj punën që bën MIE dhe qeveria e Kosovës në tërësi në agjendën evropiane, unë jam i bindur se nuk do të ketë asnjë lëvizje përpara deri sa nuk ka vullnet politik për vendime të cilat i mundësojnë Kosovës që të lëviz përpara. Një pjesë të barrës për këto vendime e kemi ne, pjesën tjetër e ka BE-ja. 

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka emëruar Komisionit e ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit me qëllim që të rishikoj çështjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sa besoni ju se ka mundësi që ky komision mund të sjell fakte të reja që dëshmojnë që Kosova ka humbur territor dhe a mendoni se Mali i Zi do të pranoj që ta ri negocioj këtë marrëveshje apo të pranoj që kjo çështje të adresohet në Gjykatën e Arbitrazhit.

Çollaku: Pasojat politike dhe praktike për zvarritjen e vendimmarrjes në këtë çështje janë evidente për të gjitha partitë politike, por më së shumti për qytetarët që kanë mbetur të izoluar. Kjo çështje ishte shkaku kryesor për zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti, dhe në rast se nuk adresohet nga qeveria dhe parlamenti i tanishëm, atëherë askush nuk mund ta përjashtoj përsëritjen e skenarit të njëjtë. Pra, me vetëdije jemi futur në një rreth vicioz pa çarë kokën për interesin qytetar dhe shtetëror. Askujt nuk po i bëhet vonë për asgjë, ndërsa koha po lëviz me shpejtësi.

Unë jam shumë pesimist se komisioni i ri shtetëror do të mund të ndryshoj situatën e ekzistuese. Jam i etur të shikoj një fakt të vetëm bindës që dëshmon pretendimet e tyre për humbje territori. Kam pritur se paraqitja e shumëpritur e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit që ndodhi dje përpara anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, do të sillte këto fakte të reja. 

Fatkeqësisht, ashtu siç ndodh shpesh tek ne, ky raportim ishte vetëm një shfaqje e radhës nga ana anëtarëve të komisionit shtetëror, pra nga zyrtarët shtetëror dhe jo nga profesorët apo profesionistët siç parapëlqejnë ta quajnë vetën. E them këtë, sepse në momentin që këta profesorë dhe profesionistë të fushës kanë pranuar të emërohen në komision shtetëror, ata janë zyrtarë shtetërorë. Pra, ata duhet të zbatojnë obligimet shtetërore dhe të japin llogari në përputhje me rregulloren e punës dhe ligjet e Kosovës. 

Por ne duhet të jemi realist. Çdo veprim që është duke ndodhur nga ana e jonë në këtë aspekt, është krejtësisht i vonuar, jo relevant dhe nuk e zgjidh problemin. Pse? Sepse qeveria e Republikës së Kosovës e ka nënshkruar me vullnet marrëveshjen me Malin e Zi. Në anën tjetër, Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje dhe e konsiderojnë çështje të mbyllur. Natyrisht, ata e kanë bërë të qartë se nuk pranojnë që kjo çështje të përfundoj në Gjykatën e Arbitrazhit. Çfarë i mbetet Kosovës të bëj? Opsioni i vetëm dhe më i mirë është që qeveria e jonë ta ri procedoj këtë marrëveshje për ratifikim në parlament. Ratifikimi i saj, sjell liberalizim të vizave dhe e vendos Kosovën në pozitë shumë më të favorshme në prag të hartimit të strategjisë së re për zgjerim nga ana e Komisionit Evropian. Çdo opsion tjetër, është negativ dhe e mban Kosovën të izoluar.