Policia në Hamburg ka kryer kontrolle në një autoritet lokal dhe një kompani eventesh, pas akuzave se bileta falas të “Rolling Stones” me vlerë 10 mijë euro u janë dhënë zyrtarëve lokalë.

“Qindra zyrtarë kanë marrë bileta, pasi zyra rajonale miratoi koncertin e shtatorit”, raportuan mediet lokale.

Stafi në zyrat e qarkut verior të Hamburgut i tha “Der Spiegel” se kjo ishte një praktikë standarde.

Zyrtarët gjermanë e kanë të ndaluar të pranojnë dhurata.

“Numri i madh i zyrtarëve në koncert ka ndezur kritika”, shkruante “Der Spiegel”.

Më shumë se 80 mijë njerëz morën pjesë në koncertin e shtatorit, me disa që raportohet se kishin paguar 800 euro për biletë në tregun e zi. Hetuesit ekzaminuan kompjuterat e zyrave rajonale dhe kryen kontrolle edhe në zyrën e eventeve të kompanisë që organizoi koncertin.