Ali Berisha: AAK-ja e ndryshojë hartën politike të Kosovës

Ali Berisha: AAK-ja e ndryshojë hartën politike të Kosovës

Në cilësinë e sekretarit organizativ të AAK-së në nivel të Kosovës, Ali Berisha që është zëvendësministër i shëndetësisë kosovare, ka folur për rezultatet e partisë së tij në balotazh.

Ali Berisha ka thënë se harta politike e Kosovës tashmë ka ndryshuar, duke thënë se AAK do të qeverisë në shtatë komuna të Kosovës nga dy sa i kishte para këtyre zgjedhjeve.

“Harta politike e Kosovës tashmë ka ndryshuar. Me rezultatet e mbrëmshme, AAK merr drejtimin në 7 komuna, në pritje shumë shpresëdhënëse për të qeverisur edhe me komunën e 8-të në nivel vendi.  AAK si fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve, patjetër se edhe do të reflektojë përgjegjësi karshi votuesit kosovar”, ka shkruar Berisha.

Arritjet dhe ngritjen e AAK-së Ali Berisha e ka ndërlidhur edhe me efektin e qeverisjes së Haradinajt, por gjithsesi edhe ka përgëzuar kandidaturat fituese në komunat përkatëse. Derisa ka uruar kryetarët fitues të shtatë komunave, Berisha ka thënë se lajme të mira po presin edhe në një komunë, pas numërimit të votave me kusht, duke aluduar në Istogun.

“Efektet pozitive në vetëm pak ditë pune të Qeverisë Haradinaj u dëshmuan me besimin qytetar. Bashkim Ramosaj, Agron Kuçi, Ardian Gjini, Zenun Elezaj, Smajl Latifi, Bali Muharremaj, Xhafer Gashi, urime fitorja dhe ju shoftë mbarë. Lajme të mira pres edhe nga Istogu”.

Si sekretar organizativ i partisë Ali Berisha ka drejtuar edhe një porosi të fuqishme për të gjithë Aleancistët në Kosovë, që mund të kuptohet edhe si detyrë e organeve qendrore të partisë për secilin anëtarë të AAK-së të pozicionuar me përgjegjësi institucionale e poetike në të gjithë vendin.

“Përgjegjësitë institucionale e shtetërore për AAK-në po rriten, ndaj, si Aleancistë, ky besim na obligon për ndershmëri, dinamizëm dhe qeverisje me qytetarin. Secili anëtarë i AAK-së që ka marrë përgjegjësi kudo në Kosovë, pavarësisht pozicionit institucional, politik e shoqëror, në pozitë e opozitëtë, ta kryej detyrën dhe obligimin konform kërkesave të qytetarit”, ka shkruar Berisha.