Dy çapkënat në "Na dy"

Dy çapkënat në "Na dy"

Ulqinakja Flutur Mustafa, është autore e dy përmbledhjeve me poezi deri tani, “Përtej lajthitjes” dhe “Na dy”.

Me përmbledhjen “Na dy”, ajo ka arritur sukses, ku libri vazhdon për dy muaj me radhë të jetë në pesëshen e librave më të lexuar. Flutur Mustafa është dhe aktore. Tani sapo ka përfunduar xhirimet e filmit më të ri “Hajnat e Kosovës”, që pritet të shfaqet në muajin dhjetor. Në intervistë për Radio Kosovën, Flutura thotë se të dy artet me të cilat merret ajo, e plotësojnë njëri tjetrin.

Flutur, kush janë këta dy, në “Na dy”?-

Këta dy janë dy çapkënë që nuk zënë vend njëri me tjetrin. “Na dy”, duhet ta pranoj që bazohet në përjetime personale, por këta të dy nuk janë më. Mbeten në libër dhe uroj që këta të dy të bëhen realitet në një botë tjetër. Ky është libri juaj i dytë.

Si është pritur nga publiku?

Dua ta cek se në Prishtinë ka qenë një ndër librat më të shitur. I falënderoj shumë lexuesit në Kosovë. Ka qenë për 19 javë dhe vazhdon të jetë ndër pesë librat më të lexuar nga “Kosova sot”. Nuk e lëshon pesëshen. Sa renditet i pari, e sa i pesti. Edhe në Tiranë, duke pasur parasysh që nuk kam bërë shumë marketing, lexuesi është interesuar për poezi.

Çka e bën më të kapshëm është titulli “Na dy”, që nuk është në letrare, por në dialekt. Kjo e nxit interesimin për librin. Pse e keni zgjedhur dialektin për të shkruar poezi?

Ka poezi edhe në gegërisht, por edhe në standard. Kur shkruaj në gegërisht, për mua është gjuha e shpirtit. Është afërsia me lexuesin dhe afërsia me vet poezinë që e shkruaj. Ndoshta depërton ndjenja dhe mesazhi më mirë kur është në gegërisht sepse është origjina. Kurse sa i përket poezive në standard, nuk them që nuk janë të arrira, por të preferuarat e mia janë poezitë në gegërisht.

Sipas jush, ku është dallimi në mes të librit të parë dhe të dytë?

Jam rrit dhe jam pjek në krijimtari. Në librin e parë, kur i lexoj disa poezi, sot nuk do t’i botoja. Por, mendoj se secila moshë e ka lezetin e vet. Libri i parë “Përtej lajthitjes”, m’i ka hapur shumë dyer, të cilat “Na dy” po i vazhdon. Ia kanë vlejtur të dytë. Dallimi është vetëm rritja intelektuale që kam përjetuar si autore.

Merreni dhe me aktrim. Sa ju ndihmon ky art në artin e të shkruarit?

E plotësojnë njëri tjetrin. Tani kam përfunduar xhirimet e filmit më të ri “Hajnat e Kosovës”, me producent dhe skenarist Agush Mulliqin dhe regji të Arlinda Morinës, i cili pritet të dalë në dhjetor të këtij viti. Aktrimi më ndihmon në interpretimin e poezive të mia e ndoshta edhe në hartimin e tyre, sepse e kam dhe përgjegjësinë që t’ia bëj dikujt më të lehtë që t’i interpretojë në qoftë se vendos t’i interpretojë dhe ta plasojë emocionin siç duhet.

Flutur, çka presim pas “Na dy”?

 Pas “Na dy”, presim disa tregime. Përsëri me Shtëpinë Botuese “Buzuku”, në panairin e 20-të, në Prishtinë.

Diçka për fund?

Vetëm lexoni dhe kurrë mos reshtni së dashuruari.

Autor: Vera Pelaj