Promovohet romani i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”

Promovohet romani i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”

Sot në Tiranë promovohet romani i Klara Budës, “Pëshpërimë gruaje”, prezantuar pak ditë më parë në Panairin e Librit Tirana 2017, pjesë e kolanës letrare të “Mapo Editions”.

Romani merret me fatin e individit në diktaturë dhe dashurinë si një akt rezistence, një fiksion që i vendos ngjarjet në vitet ‘80 në regjimin totalitar.

Romani Pëshpërimë Gruaje është një fiksion që i vendos ngjarjet në vitet 80- të në regjimin totalitar shqiptar dhe trajton rrugën e individëve nga një kolektivitet mbytës drejt lirisë. Megjithë terrorin e friken ideali i lirisë, ka mbijetuar gjithmonë edhe në diktaturat më të ashpra.

“Të tulatur e të puthitur te njëri-tjetri dhe duke mposhtur dridhjen e trupave të tyre e mbajtur frymën, por pa shumë pushtet mbi një drithërimë tjetër që sinkronizonte rrahjet e zemrave të tyre dhe përhapej në rrathë koncentrikë nga vullkani përvëlues i Almës drejt virilitetit paqtor të Adrianit.

Vështrimi i Almës normalisht i flaktë, dukej sikur kishte humbur. Sytë e saj, për të cilën thuhej se nuk trembej, shprehnin frikë. Që nga momenti i arrestimit, një natë më parë, Adriani nuk kishte mbyllur sy. Atij nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, çdo gjë kishte ardhur papritur dhe ai nuk e kishte menduar se çfarë do të thoshte për marrëdhënien e tyre, por për asgjë në botë nuk do ta cenonte atë. Si pak të tjerë, ai qe ndërgjegjësuar se në atë sistem, të dashuroje, duke shpërfillur biografinnë, ishte në vetvete një akt rezistence.