Elvira Dones, prezanton romanin e saj të përkthyer në gjermanisht

Elvira Dones, prezanton romanin e saj të përkthyer në gjermanisht

Shkrimtarja e njohur që shkruan shqip dhe italisht, Elvira Dones do të lexojë sonte në Cyrih. “Literaturhaus” e Cyrihut do të ketë mysafire “njërën ndër autoret më të shquara të kohës sonë”, citon organizatori vlerësimin e Ismail Kadaresë për autoren e përmendur.

“Shkrimtarja zviceranoamerikane, me prejardhje nga Shqipëria, e cila është edhe regjisore e filmave dokumentarë, jeton në Kantonin e Tiçinos, në Zvicër, shkruan Literaturhaus në njoftimin për aktivitetin e sotëm letrar. Ajo ka shkruar tashmë 7 romane dhe dy vëllime me tregime, për të cilat ka marrë çmime të shumta, transmeton albinfo.ch.

Së fundi, Elvira Dones mund të lexohet edhe nga publiku lexues gjermanishtfolës, transmeton albinfo.ch. Romanin e saj “Hana”, i cili ka marrë çmimin “InkPress 2017” e ka përkthyer në gjermanishte nga italishtja Adrian Giacomelli. Libri bën fjalë për traditën e stërlashtë dhe unike në botë që ende jeton në “Bjeshkët e Nemuna” të Shqipërisë së Veriut. Fjala është për dhjetëra gra që jetojnë si burra, të cilat janë betuar që të mbeten të virgjëra për gjithë jetën, për të garantuar nderin e fiseve të tyre, përcjell albinfo.ch. Dhe pikërisht këtë e bën edhe heroina e romanit të madh “Hana”, e cila na sjell para syve në mënyrë të qartë ambivalencën dhe kompleksitetin e roleve të gjinive”.

Me rastin e pranisë së Elvira Dones-it në Cyrih, gazeta prestigjioze e Zvicrës “Neue Zürcher Zeitung” ka bërë për lexuesit një portretim të shkrimtares së njohur, me titullin “Përnjëherë, liria para syve”.

“Në Zvicër jeton njëra ndër shkrimtaret më të rëndësishme shqiptare të të sotmes dhe askush nuk e vë re. Së paku, askush në Zvicrën gjermane, transmeton albinfo.ch gazetën NZZ. Elvira Dones jeton në Meride, në jug të Kantonit të Tiçinos dhe shkruan shqip e italisht. Në secilin libër të ri, ajo përzgjedh gjuhën në të cilën do të shkruajë, tregon Elvira, e njohur edhe si regjisore filmash dokumentarë. Ndërsa rreshtat e parë të romanit “Hana” i cili sot do të prezantohet në Literaturhaus në Cyrih, thotë se i kanë ardhur në gjuhën italiane, prandaj dhe  e ka shkruar atë italisht, me titullin “Vergine giurata”. Siç dihet tashmë, ky roman ka shërbyer si bazë për filmin shumë të suksesshëm me po këtë titull.

Ajo shkruan me vetëdijen se një gjuhë nuk të takon kurrë në tëresi. Ju duhet ta mbani atë vazhdimisht të gjallë. Dhe kjo vlen edhe për gjuhën e saj amtare, shqipen. Por Elvira thotë se ndihet si në shtëpi të vet si në Shqipëri, ku bën shpesh vizita, ashtu dhe në Zvicër ku jeton me familjen por edhe në SHBA ku ka jetuar 11 vjet.

Elvira Dones ka emigruar në Zvicër në vitin 1988, kur punonte për TVSH-në e atëhershme dhe po merrte pjesë në festivalin e filmit në Milano ku prezantonte filmin shqiptar. Atje ajo ka takuar gazetarin zviceran Vasco Dones, me të cilin ishte njohur dy vite më parë në një festival filmi në Danimarkë. Kështu Elvira vendosi të mbetej me të në Zvicër, ku jeton edhe sot, me ndërprerjen e përmendur që ka pasur për 11 vite në SHBA.