Jeremiq: Gabim që më 2010 u tërhoqëm nga Rezoluta për Kosovën në OKB

Jeremiq: Gabim që më 2010 u tërhoqëm nga Rezoluta për Kosovën në OKB

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiq, deklaroi se ende beson që vendimi i 2010-tës për ndryshimin e Rezolutës serbe mbi Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ishte gabim, sepse Serbia kishte shumicën për të votuar mbi rezolutën origjinale.

“Lidhur me vendimin e ndryshimit të Rezolutës nga Beogradi kam marrë vesh tek në momentin e votimit, ndërkohë që për tekstin origjinal kisha siguruar shumicën e votave. Isha i befasuar , prandaj kam provuar të kontaktoj Beogradin zyrtar”, deklaroi Jeremiq, njoftojnë mediet serbe.

Beogradi zyrtar në shtator të 2010-tës, një natë para votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka vendosur që të tërhiqet nga teksti origjinal i Rezolutës për Kosovën dhe të dalë me një kompromis sipas marrëveshjes me BE-në, transmeton RTK.

“Askush nuk kishte dëshirë të më kontaktonte që të më përgjigjeshin lidhur me përmbajtjen dramatike të tekstit, ngase e dinin se çfarë mendoja dhe ende edhe sot mendoj se ai vendim ishte gabim”, deklaroi, ndër të tjera, ish-shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq.